BERAT- 11-vjeçari Ardit Muçogllava nga Berati, i cili humbi jetën një ditë më parë pasi u mbyt në plazhin e Durrësit, është përcjellë sot për në banesën e fundit. I mituri ishte djali i vetëm i bashkëshortëve Artan dhe Aldeta Muçogllava dhe vëllai i tre motrave, duke lënë pas një dhimbje të madhe në familje.
Ceremonia mortore u zhvillua mes dhimbjes dhe lotëve, ndërsa arkmorti i të miturit u nis nga lagjja “Kushtrim” në Berat për në Varrezat e Suelasit, ku do të prehet trupi i tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e të dielës në afërsi të Kavaleshencës në Durrës, ku 11-vjeçari kishte shkuar për të bërë plazh, me familjen e tij. I mituri dyshohet se u mbyt aksidentalisht, ndërkohë që policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave si edhe për përcaktimin e shkakut të ngjarjes./ZËRI
