Aktualitet

U mor i pandehur, Elvis Roshi ‘rikthehet’ në SPAK, e shoqëron avokati

Gjatë muajit qershor Roshit iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre”, pas një kallëzimi të Këshillit të Lartë të Shtetit, gjatë auditit të vitit 2013-2014, në kohën kur ishte ai ishte kryetar bashkie

E.K
U mor i pandehur, Elvis Roshi ‘rikthehet’ në SPAK, e
elvis roshi ne spak, foto arkiv

TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur në ambientet e SPAK mëngjesin e kësaj të premteje, në shoqërinë e avokatit të tij. Në verën e këtij viti, Roshi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, gjatë kohës që ka qenë në drejtimin e bashkisë së Kavajës.

Elvis Rroshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.

Nga ana tjetër, në 17 maj  të këtij SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.

Ditën e zgjedhjeve, më 11 maj, një grua e identifikuar si Xhuli Duda, u shoqërua nga policia në Kavajë. Ajo është ndjekur nga agjentë të policisë, ndërsa është takuar me ish-kryetarin e bashkisë, Elvis Roshi.

Pas takimit, gruaja është ndaluar teksa dhe i është gjetur një listë që përmbante emrat e disa prej familjarëve të saj. Dyshohet se ajo është përfshirë në aktivitete të dyshimta që lidhen me blerjen e votës. Duda dhe Roshi u morën në pyetje. Mendohet se edhe hetimet e sotme janë pjesë e kësaj procedure, për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe ngjarjen e dyshuar si korrupsion zgjedhor. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB