Aktualitet

"Qëlluan me armë"/ Baki Goxhaj mbërrin në Rinas, rrëfen torturën nga izraelitët: Na morën zvarrë, qëndruam si bagëti

Goxhaj mbërriti mesditën e sotme në Aeroportin e Rinasit, ku u prit në një takim emocion nga familjarët e tij. 

zh.ll
"Qëlluan me armë"/ Baki Goxhaj mbërrin në Rinas,
Baki Goxhaj mbërrin në Shqipëri

TIRANË- Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili u ndalua nga Izraeli ndërsa ishte pjesë e flotiljes humanitare “Global Sumud” në rrugë drejt Gazës, është kthyer në Shqipëri. Goxhaj mbërriti mesditën e sotme në Aeroportin e Rinasit, ku u prit në një takim emocion nga familjarët e tij. 

Pas mbërritjes, Goxhaj qëndroi rreth dy orë në komisariatin e Rinasit, ku u mor në pyetje nga autoritetet. Në përfundim, ai dha një intervistë për mediat, duke rrëfyer përvojën e tij gjatë ndalimit nga izraelitët.

Ai tregoi se udhëtimi nisi 10 ditë më parë dhe se flotilja ndodhej në ujërat ndërkombëtare kur u përball me anije të mëdha dhe skafe të armatosura. Goxhaj shtoi se gjatë kohës në bord ka parë situata të dhunshme, teksa tregon se është dhunuar personalisht gjatë kapjes.

"Unë jam nga Vlora dhe vitet e fundit jam angazhuar si aktivist për çështjen palestineze, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po zgjat prej 80 vitesh si një plagë e hapur në botën moderne. Organizata që merret me organizimin e flotiljes është online dhe ka hapur aplikime për t’u bërë pjesë e flotiljes. Edhe unë, pasi u informova, ndoqa procedurat për t’u bërë pjesë e saj.

Rreth 10 ditë më parë u nisëm. Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë. Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë. Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi; kam dëgjuar një vajzë palestineze jo shumë larg meje që më pas u dhunua. E kam parë gjithë skenën”, tha Goxhaj.

Mbërritja e tij në atdhe u njoftua më herët edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Shtetasi shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në atdhe.

Që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e #Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.

#Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm.

Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë #përfaqësive tona #diplomatike dhe #konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional.

Ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë #qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre.

Baki Goxhaj, u ndalua 3 ditë më parë nga forcat izraelite bashkë me aktivistë të tjerë nga vende të ndryshme, teksa po dërgonin ndihma në Gaza përmes flotës së anijeve ‘Sumud’./ZËRI

Poll

MOS HUMB