TIRANË- Profesoresha Dorina Hoxha është pezulluar nga detyra si Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, me një urdhër të firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.
Sipas vendimit nr. 110, datë 20 maj 2026, pezullimi do të zgjasë deri në përfundim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Kuvendi.
Siç theksohet edhe në dokument, kjo masë vjen pas interesit të dekanes për kandidim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa rektori e ka argumentuar si një mënyrë për të ruajtur paanshmërinë institucionale dhe për të shmangur çdo konflikt interesi.
Drejtimi i Fakultetit të Drejtësisë do t'i besohet përkohësisht Prof. Dr. Skënder Kaçupit, i cili do të ushtrojë të gjitha funksionet e dekanit deri në përfundim të procedurës./ZËRI