
TIRANË- Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi foli për dosjen “Metamorfoza” ku përmendej emri i tij. Jaupi tha për emisionin “Kjo Javë” se ai është përmendur në bisedat e “Sky ECC” nga persona të tjerë, por nuk ka e ka përdorur atë për të bisedar me eksponentë të krimit. Ai tha se ka komunikuar vetëm me kolegët e tij.
“S’mund të them se nuk ka lidhje mes policisë dhe krimit. Kjo ndodh edhe në vende të zhvilluara. Grupet kriminale duan të kenë një zë të tyrin në polici. Kur ka pasur raste bashkëpunimi mes policisë dhe krimit, ne kemi marrë masa. Bashkëpunëtorët me krimin në polici duhet të dalin para drejtësisë. Në polici vazhdon vettingu. Kushdo që ka bashkëpunuar me krimin, një ditë do dalë përpara drejtësisë. Kur më përmendet emri në Sky ECC, shqetësohem. E them me përgjegjësinë time morale që nuk kam pasur në jetën time asnjë telefon Encro Chat. Kam bërë punën time me përgjegjësi. Nuk kam pasur asnjë bisedë me asnjë person të botës së krimit. Natyrisht, që njerëzit mund të bisedojnë me të tretët, jemi vend i vogël, njihemi të gjithë me njëri-tjetrit, por kurrë nuk kam komunikuar me njerëz të botës së krimit. Edhe në SPAK dhashë të gjitha sqarimet”, tha Jaupi.
Më 4 prill 2024, Rebani Jaupi ish-drejtuesi i Policisë së Tiranës prej Majit të vitit 2019 deri më tetor të vitit 2021, u pyet nga oficerët e SPAK në lidhje me bisedat që biznesmeni Pëllumb Gjoka zhvilloi në "SKY ECC" me ish-shefin e Komisariatit nr.2, Oltian Bistri, pjesë e dosjes së njohur tashmë si Metamorfoza 1.
ZËRI përballi episodet ku Oltian Bistri flet për mbrojtjen që kishte mundur të merrte nga Policia për të mos goditur pikat e lojërave të fatit që posedoheshin nga Pëllumb Gjoka, për ti krahasuar ato me dëshminë që Rebani Jaupi dha në SPAK ku sqaron pozicionin e tij.
Më 18 shkurt të vitit 2020, Oltian Bistri bisedon me Gjokën dhe e njofton se Policia ka një operacion për lojërat e fatit, ndaj atë ditë, pika e Pëllumb Gjokës duhet të jetë e mbyllur. Biseda vijon të nesërmen, më 19 shkurt ku sërish Bistri i kërkon Gjokës që të mbyllet pika pasi priten kontrollet. Në këto biseda, të nesërmen e 20 shkurtit, në mesnatë, Oltian Bistri përmend "të madhin" që ka takuar dhe operacioni është shtyrë.
"...E di, por tani takova të madhin edhe më tha: “…e shtymë për nesër në darkë ndaj..."
Në orën 19:25, Bistri i shkruan sërish Gjokës për ti njoftuar se "drejtori" i ka thënë se pikën e Gjokës do e heqë nga lista, ndërsa për drejtorin e Tiranës, Rebani Jaupi thotë se nuk ka nevojë të flasë, pasi ai e di vetë.
"...tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Drejtori tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë, s’ka nevojë…”.
Kush është drejtori i "MADH" që flet Bistri? Edhe pse pa emër, dëshmia e 4 prillit 2024 e dhënë në SPAK nga ana e Rebani Jaupajt, sqaron se kush ka qenë hartuesi i listës së mbyllur ku rreshtohen emrat e pikave të paligjshme të lojërave të fatit. Rebani Jaupi thotë, se vetë nuk ka qenë ai në hetim por ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përgjegjëse për hartimin e planit të masave, e drejtuar asokohe nga Ardi Veliu. /ZËRI