Aktualitet

'SKYndal'/ PËR KË E KA BALLA? Ardi Veliu dhe Rebani Jaupi, dy policët e parë që "digjen" nga përgjimet

Ministri i Brendshëm tha se kishte kërkuar më shumë informacione nga nga Europoli, por edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Agjencisë së Mbikqyrjen Policore, Ardi Veliu.

E.K
'SKYndal'/ PËR KË E KA BALLA? Ardi Veliu dhe Rebani Jaupi,
Taulant Balla

TIRANË- "Sky ECC", përveçse grupet kriminale, duket se do të 'djegë' edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit. Lajmin e ka dhënë vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në fjalën e tij në Komisionin për Europën, duke shpërndarë një mesazh të qartë.

“Nuk ka rëndësi çfarë bisede është bërë, nëse një person që mban veshur uniformën blu dhe komunikon me personazhe të botës së krimit në SKY, do të përjashohet përgjithmonë nga radhët e Policisë,”-ky ishte mesazhi i përmbledhur dhe i qartë i Ballës. Përballë kolegëve në sallën e Kuvendit, ministri i Brendshëm tha se kishte kërkuar më shumë informacione nga nga Europoli, por edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Agjencisë së Mbikqyrjen Policore, Ardi Veliu.

“Është e vërtetë që në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie, të cilët rezultojnë të përfshirë ose me kontakte me botën e krimit. I kam kërkuar informacione drejtorit të policisë, dhe atij të AMP, për shkak se jemi në kontakt dhe me Europolit që ne të kemi informacionin sa më shpejt të jetë e mundur. Për çdo punonjës të policisë së shtetit që do të rezultojë se do të ketë pasur akses në këto rrjete Encrochat apo SKY, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit, edhe nëse në ato komunikime nuk rezulton të ketë asnjë aktivitet kriminal. Por thjesht fakti që është në këtë rrjet kriminal, kjo është pjesë e angazhimit tim që lidhet me Kodin Etik të Policisë së Shtetit. Policët e kishin të ndaluar që të uleshin në kafe apo restorante me grupe kriminale, ndaj kjo vlen edhe për këto grupe kriminale. Prokuroria, këtu i referohem SPAK, po vazhdon hetime të thelluara mbi bazën e të dhënave nga EUROPL dhe shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete ku do të ketë dhe punonjës të policisë (të përfshirë), ku do të vetëpastrohet policia por dhe shoqëria,”-tha Balla në fjalën e tij.

Veçse ka një paradoks! 

Një nga personat që Balla i kërkon ndihmë, drejtori i AMP-së, Ardi Veliu, përmendet vetë në përgjimet e SKY për operacionin e koduar "Metamorfoza". Në dosjen e publikuar, biznesmeni Pëllumb Gjoka, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

Megjithatë Balla, deri më tani, nuk përmend asnjë emër konkret, por jep mesazhin që shumë shpejt do të nisë një “operacion” për të nxjerrë jashtë Policisë së Shtetit të gjithë të inkriminuarit dhe bashkëpunëtorët me personazhet e botës së krimit. Sipas Ballës, ata kanë thyer Kodin e Etikës, por rrjedhimisht edhe besimin e qytetarëve ndaj tyre dhe të gjithë kolegëve. Tek e fundit, paguhen nga taksat e qytetarëve për t'ju shërbyer atyre dhe jo bandave që u rrezikojnë jetën çdo ditë.../Zëri.ai

Poll

MOS HUMB