
ITALI- Rreshter Majori i Ushtrisë italiane, Marco Vergine nuk do ta dijë kurrë se si përfundoi beteja e tij ligjore. Ai ndërroi jetë, por para se të ndahej nga kjo botë në moshën 48-vjeçare, paditi shtetin e tij duke e akuzuar se ishin armët që e sëmurën gjatë një misioni që kishte zhvilluar në Kosovë.
Vergine vdiq më 29 maj në Mogliano Veneto në zonën e Trevisos, vetëm 48 vjeç. Ai u diagnostikua me një formë të rëndë të leuçemisë për të cilën dyshoi se ishte infektuar gjatë luftës. Ai la pas gruan e tij Eleonora, me të cilën u martua më 7 korrik 2007, dhe vajzën e tij të mitur. Funerali u mbajt më 4 qershor në kishën e Zemrës së Shenjtë të Jezusit në Mogliano Veneto, plot me të afërm dhe miq dhe shumë uniforma ushtarake. Disa ushtarë erdhën edhe nga Verona, ku 48-vjeçari kishte shërbyer në kazermat Duca di Montorio, një fshat në periferi të qytetit të Veronës.
Mediat italiane shkruajnë se Vergine kishte hedhur shtetin në gjyq pasi dyshonte se ishte infektuar me sëmundjen, e cila më vonë rezultoi fatale, gjatë misioneve paqeruajtëse jashtë vendit; më konkretisht në Kosovë gjatë operacionit të koduar "Roja e Përbashkët". Në dosjen e tij, rreshteri pretendonte se kishte qenë në kontakt për një kohë të gjatë me uraniumin dhe metalet e rënda që kanë municionet. Sipas tij, duke i thithur këto metale iu shkaktua edhe sëmundja e gjakut që nuk iu shërua kurrë. Për të gjetur të vërtetën e tij, Vergine iu drejtua
avokatit Davide Di Maio.
Por tani procesi duket shumë i gjatë dhe plot me "kurthe". Nëse tashmë që rreshteri ka ndërruar jetë, i jepet e drejtë nga gjykata, familja e Vergine do të jetë në gjendje të fitojë një pension invaliditeti dhe kompensim të drejtë për dënimin./ZËRI