ITALI- Është publikuar fotoja e 30-vjeçarit Gjergj Pergegaj, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së premtes në Arezzo të Italisë. Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi pak para mesnatës në zonën e Bivio di Olmo, në jug të qytetit, pranë një bari dhe një restoranti, ku u regjistruan të shtëna me armë zjarri.
Autori është një shtetas shqiptar, 35-vjeçar ende i paidentifikuar, i cili është arrestuar disa orë pas ngjarjes. Mediat raportojnë se bëhet fjalë për një konflikt që kishte nisur brenda lokalit, ndërsa motivi dyshohet për shkak të një romance.
Momenti i të shtënave ka ndodhur jashtë ambienteve të lokalit, ku dyshohet se 30-vjeçari është qëlluar me të paktën 4 plumba, njëri prej tyre në qafë ka rezultuar fatal brenda pak çastesh. Ka qenë pronari i lokalit ai që pasi ka dëgjuar të shtënat ka dalë jashtë në rrugë dhe ka gjetur trupin e pajetë të shqiptarit. Në të njëjtin moment, thuhet se e pa autorin të largohej me makinën tip "Audi" të errët.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur në një kontekst romantik. Dy të rinjtë dyshohet se kishin pëlqim për të njëjtën vajzë. Mediat raportojmë se viktima, në fund të turnit të punës, ishte ndalur për të folur me ish-të dashurën e tij, një grua të re me origjinë rumune, pranë kryqëzimit të rrugëve Olmo. Në atë moment, dyshohet se ka mbërritur shqiptari tjetër, i dashuri aktual dhe për arsye xhelozie ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të shqiptarit.
Megjithatë, ende nuk janë përcaktuar detajet e sakta të ngjarjes dhe pritet të zbulohen në vijim. Hetuesit po punojnë tani për të rindërtuar me saktësi çdo fazë të incidentit dhe për të sqaruar në detaje motivin dhe rrethanat e krimit./ZËRI
