Aktualitet

RIHAPET dosja e vrasjes së Kozeta Hysenit, pritet të merren në pyetje Dritan Gjika dhe problematiku nga Durrësi Indrit Dule

Pothuajse pas dy dekadash, më shumë se 27 vite pas krimit makabër që tronditi vendin, dosja është rihapur dhe pritet të kryhen një sërë veprimesh të reja hetimore.

zh.ll
RIHAPET dosja e vrasjes së Kozeta Hysenit, pritet të merren në
kozeta hyseni

TIRANË- Vrasja e Kozeta Hysenit, një ngjarje që edhe sot e kësaj dite vijon të mbetet pa autor, është rikthyer në vëmendjen e Prokurorisë së Tiranës. Pothuajse pas dy dekadash, më shumë se 27 vite pas krimit makabër që tronditi vendin, dosja është rihapur dhe pritet të kryhen një sërë veprimesh të reja hetimore.

Ngjarja e ndodhur në 1999 përbën një prej krimeve më të mistershme të ndodhura në Tiranë. Bëhet fjalë për varsjen e vajzës së një prokurori në qytetin e Vlorës, ndërsa deri më sot, askush nuk ka dalë para gjykatës për t'u akuzuar.

Por, në 2026 është shënuar një kthesë e papritur, pasi prokuroria ka rihapur sërish dosjen dhe kërkon të gjej autorin.

Kush janë emrat kyç në listën prej 28 personave që do të pyeten?

Mësohet se në kuadër të hetimeve, prokuroria u ka kërkuar disa policive lokale që të marrin në pyetje 28 persona, disa prej të cilëve të përmendur edhe më herët.

Njëri prej tyre pritet të jetë Indrit Dule, i njohur si një person me precedentë penalë nga Durrësi. Lidhur me ngjarjen, ky i fundit, në hetimet e para kishte deklaruar se natën e krimit ndodhej për vizitë te e fejuara.

Mes personave që pritet të merren në pyetje është edhe Dritan Gjika, si dhe dy oficerë policie që kanë hetuar ngjarjen në atë kohë, familjarë të Agim Karafilit, i cili u vra disa vite pas ngjarjes.

Lista e personave që pritet të pyeten do të vijojë me dëshmitë e 3 shoqeve të dhomës së Kozetës: Mirela Metaj, Valbona Kasaj dhe Kozeta Bushi, të cilat kanë qenë ndër personat e pyetur edhe më herët për rrethanat e ngjarjes.

Vrasja që tronditi Tiranën-Dinamika e ngjarjes

Më 19 shkurt 1999, Kozeta Hyseni, vajza e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, u gjet e pajetë në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë. 

20-vjeçarja u gjet e masakruar pasi ishte goditur me gurë në kokë. Dhe...gjithçka kishte ndodhur vetëm pak pasi ishte nxjerrë nga dhoma e saj e konviktit, ku sipas të dhënave të administruara në dosjen hetimore, rreth orës 23:40 të 18 shkurtit 1999, një vajzë i kishte thënë Kozetës se dikush po e kërkonte atë poshtë godinës.

Pas kësaj, Kozeta ka dalënë ballkon për të parë kush po e kërkonte, por nuk ka parë njeri. Sakaq, ajo ka zbritur nga godina, por nuk është kthyer më, dhe në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër, 19 shkurt 1999, ajo u gjet e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti.

Krimi tronditi opinionin publik dhe për vite me radhë hetimet u shoqëruan me persona të dyshuar, u morën dëshmi, u hapën pista, por...pa çuar në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes.

Kush ishin të shoqëruarit e parë pas ngjarjes?

-Agim Karafili, një prej personave të parë të shoqëruar, me të cilin thuhej se Kozeta kishte pasur një lidhje. Karafili njihej nga policia si person me precedentë penalë. Lidhur me ngjarjen, ai kishte deklaruar se në momentin kur kishte ndodhur krimi ndodhej në banesën e tij, ndërsa ndaj tij nuk u ngrit asnjë akzuë. Disa vite më vonë, Karafili u vra në rrethana të tjera dhe nuk jeton më.

-Një person i identifikuar në atë kohë vetëm si 'Dritan' ishte ndër ndër dyshuarit e parë të ngjarjes. Sot, identiteti i tij është zbardhur dhe bëhet fjalë për Dritan Gjikën, i cili tashmë pritet të merret sërish në pyetje në kuadër të rihapjes së dosjes. Ky i fundit, sipas të dhënave të dosjes shoqërohej me një punonjës policie të quajtur Gëzim Gelaj. Në dosje përmendet edhe një episod i mëparshëm ku ky person dyshohet se kishte dhunuar Kozetën dhe kishte tentuar ta përdhunonte.

Vlen të theksohen se në një relacion të prillit 2005, të përfshirë në dosjen hetimore, deri në atë moment veprimet për të identifikuar personin e njohur si 'Dritan' nuk kishin vijuar më tej. Ndërsa, pas dy dekadash, emri i tij Dritan Gjika është bërë pjesë e hetimeve të reja.

-Personi tjetër që pritet t'i merret dëshmia është Indrit Dule. Ai ishte në shoqëruar edhe në hetimet e mëparshme, pasi sipas materialeve të hetimit, Dule kishte qenë në Qytetin Studenti atë mbrëmje së bashku me dy persona të tjerë, Dashamir K. dhe Arjan Matohiti. Ata kishin shprehur dëshirën që të dilnin së bashku me Kozetën dhe shoqet e saj, por vajzat kishin refuzuar.

Por, sërish, edhe Dule do të deklaronte se në momentet kur dyshohet se ka ndodhur krimi ndodhej në banesën e të fejuarës së tij. Një alibi kjo, që nuk ishte verifikuar plotësisht, pasi e fejuara nuk ishte marrë në pyetje. Si të mos mjaftonte kjo, Dule dhe personat që e shoqëronin kishin dhënë dëshmi kontradiktore lidhur me lëvizjet e tyre në orët para dhe pas ngjarjes. Por, edhe kjo pistë 'ngeci', pasi nuk u krye kurrë një ballafaqim i këtyre deklarimeve.

Por, kush është Indrit Dule? Një emër jo i panjohur për autoritetet...

Indrit Dule njihet si problematiku i Durrësit, person me precedentë penalë, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë. Emri i Indrit Dule nuk ka dalë vetëm në vrasjen e Kozeta Hysenit, pasi ai është përmendur edhe në kronika të tjera pas ngjarjes së '99-ës. Ai rezulton i përfshirë në një sërë ngjarjesh.

Në vitin 2009, Indrit Dule është arrestuar nga policia me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”, ku së bashku me dy persona të tjerë kanë tentuar të vrasin një efektiv policie. Gjithashtu, Dule është dënuar më parë për heqje të paligjshme të lirisë së personave të tjerë. Në shtator 2011, ai u plagos me armë zjarri në zonën e Kodër Arapajt në Durrës, ndërsa një nga pistat e hetimet lidhej pikërisht me hakmarrjen. Në muajin shtator Dule me banim në fshatin Arapaj u paraqit i plagosur në spitalin rajonal të Durrësit i shoqëruar nga i ati, ndërsa më herët thuhet se ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, heqje të paligjshme të lirisë. Një vit më vonë, në 2012, Dule u përfshi në një përplasje me armë zjarri në zonën e quajtur “Rrota e kuqe” në afërsi të plazhit në Durrës dhe përfundoi në prangat e policisë. 

Vajza që e nxorri nga konvikti Kozetën-Dëshmitare kyçe?...e larguar nga Shqipëria

Vajza që kishhte njoftuar Kozetën se dikush po e kërkonte atë në godinë, ndoshta përbën një nga elementët më të rëndësishëm në dosje. Vajza, Mirela K., sipas materialeve të dosjes, u largua nga Shqipëria 12 ditë pas ngjarjes, ndërsa ishte ende studente.

Mësohet se për vite me radhë ajo nuk u kthye në Shqipëri, dhe kur është rikther sipas informacioneve, është marrë sërish në pyetje, duke mos deklaruar asgjë që mund të ndihmonte bë zbardhjen e ngjarjes. Ajo kishte deklaruar se kishte dëgjuar se dikush po kërkonte Kozetën, por nuk e kishte parë personin që e kërkonte.

Hetimet e para

Në ditët e para pas krimit, policia dhe prokuroria u angazhuan dhe zhvilluan një seri veprimesh hetimore dhe morën në pyetje dhjetëra persona. Në kronikat e kohës, vitit të ngjarjes, raportohej se prokurori që ndiqte çështjen, Ariston Kuka, shprehej se brenda pak ditësh, autori do të identifikohej dhe arrestohej.

Sipas prokruorit të asokohe, ishin marrë në pyetje më shumë se 20 persona, mes tyre studentë, miq dhe të njohur të viktimës.

Çfarë rezultoi nga dëshmitë? Nga dëshmitë e mbledhura në atë kohë ishte hedhur edhe pista se Kozeta mund të ishte vrarë nga një person që e njihte. Edhe sipas autoriteteve asokohe, dyshohej se bëhet fjalë për një vrasës që nuk është profesionit për nga mënyra e ekzekutimit.

Dyshimet se Kozeta mund të ishte vrarë një person që e njihte, një shok i saj, u shtuan pas shoqet e Kozetës kishin dhënë një detaj të rëndësishëm që lidhet me një ditë para krimit. Ato kishin dëshmuar se Kozeta ishte ndjerë e frikësuar vetëm një ditë para vrasjes, por nuk kishte treguar se çfarë e shqetësonte. 

Dosja rihapet në 2026

Pas 27 vitesh mister, dosja është rikthyer sërish në duart e hetuesve. Dëshmitë e vjetra, alibi të pakonfirmuara dhe pista të mbetura pezull pritet të marrin përgjigjen.

28 persona do të pyeten për ngjarjen, ndërsa veprimet e reja hetimore pritet të zbardhin pas dy dekadash: Kush e vrau Kozeta Hysenin?/ZËRI

Poll

MOS HUMB