TIRANË-Në prill të këtij viti Policia zbuloi një ambient të përshtatur për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve dhe licencave profesionale në fshatin Zall-Bastar. Si rezultat i operacionit, u arrestua 51-vjeçari Abas Tafa. Ky i fundit është ish-kandidat për deputet i Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha. Policia njoftoi asokohe se në operacionin e koduar “Laboratori” u sekuestruan qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime për skandalin e të ashtuquajturit Universiteti i Zall Bastarit. MCN TV shkruan se nga praktikat e kontrolluara deri tani dhe materialet e sekuestruara janë identifikuar dy mësues të punësuar me diploma false.
Raportohet se mësuesit janë të punësuar njëri në Kukës dhe tjetri në Dibër. Po ashtu rezulton se edhe një punonjës i hipotekës, Kadastrës, ASHK Fier, është pa shkollë dhe me diplomë false. Për të tre këta shtetas Prokuroria ka kërkuar nga gjykata pezullimin e menjëhershëm nga puna dhe ndjekjen penale për falsifikim dhe deklarim të rremë.
Tafa, një arsimtar dhe ish-drejtor shkolle në Zall Bastar, prej disa vitesh kishte nisur dy karriera. Atë politike që e shfaqte në rrjetet sociale dhe atë të padukshme si rektor në hije, duke prodhuar diploma false kundrejt vlerës 1000 deri në 2000 euro. Mesditën e 9 prillit 2026, agjentët e krimit ekonomik trokitën në banesën e Tafës, aty ku ai kishte edhe selinë e Universitetit të Zall Bastarit.
Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale”.
