
BRITANI E MADHE-Një prej njerëzve më besnikë të Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjes, pas mbarimit të burgut në Shqipëri, mbërriti përmes Spanjës me një pasaportë të falsifikuar si azil-kërkues në Angli. The Sun ka ndjekur prej vitit 2023 mbërritjen e tij dhe i ka dedikuar një shkrim të gjatë Maksim Çelës, se si hyri në Angli në prill 2023 dhe aplikoi për azil.
'Një vrasës polici është sot i lirë për të shëtitur rrugët e Britanisë, në një tjetër skandal të të drejtave të njeriut', shkruan The Sun.
Sipas mediumit britanik Maksim Çela, 59 vjeç, u ka kushtuar taksapaguesve dhjetëra mijëra paund për të luftuar deportimin. Anëtari i Bandës së Lushnjës, Maksim Çela ishte dënuar me 25 vite burg nga të gjitha shkallët e gjyqësorit në vendin tonë për një seri krimesh, përfshirë edhe vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano më 14 Prill 2000. Avokatët e Çelës i kërkuan gjykatës së emigracionit dhënie anonimati klientit të tyre pasi ai i frikësohej një hakmarrje të mundshme nëse i zbulohej vendndodhja aktuale.
The Sun, e respektoi vendimin e gjykatës duke publikuar një shkrim në prill 2023 pa detaje që do të çonin në identifikimin e Maksim Çelës, përfshi krimet për të cilat ishte dënuar në Shqipëri, si pjesë e njërës prej bandave më famëkeqe në historinë e kriminalitetit shqiptarë.
Por The Sun, zhvilloi një betejë 23 mujore në gjykatë, duke argumentuar se ishte në interes të publikut mësimi emrit të Maksim Çelës dhe krimeve të kryera në Shqipëri. Media e fitoi betejën në gjykatë duke i hequr anonimatin Maksim Çelës, dhënë në Prill 2023 nga gjykata emigracionit.
Çela u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar disa ditë pas shërbimit të gjysmës së dënimit të tij 25-vjeçar për vrasje dhe terrorizëm në Shqipëri. Mendohet se ai ka fluturuar në Britani nga Spanja me pasaportë të falsifikuar, përpara se të niste një përpjekje me dy drejtime për të mbetur në liri dhe me bazë në të drejtat e njeriut europiane. Kërkesa e tij për azil u refuzua nga një gjykatës në Gjykatën e Migracionit të Nivelit të Parë. Por një kërkesë tjetër që jeta e tij do të ishte në rrezik nga banda rivale nëse kthehej në Shqipëri u pranua në mënyrë kontestuese.

Ai u ngjit në hierarkinë e mafies “Banda e Lushnjes”, e cila terrorizoi qytetin shqiptar në fund të viteve ’90. Ajo udhëhohej nga ish-polici Aldo Bare, i cili vrau armikun e tij kryesor Artur Dajën, pastaj ia preu kokën për t’i treguar qytetarëve që ai kontrollonte qytetin. Ai tani ndodhet në burg duke kryer një dënim të përjetshëm në Shqipëri.
Në prill 2000, Çela planifikoi vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano një hetues të lartë në Lushnje, i cili u ekzekutua para shtëpisë së tij me një breshëri plumbash nga një pushkë automatike Kallashnikov. Një muaj më parë, Çela ishte gjithashtu i përfshirë në një komplot terrorist ku u la një bombë pranë stadiumit Roza Haxhiu në Lushnje. Ajo ishte vendosur aty ku zakonisht parkonte makinën shefi i policisë Sinan Meta, por për fat të mirë ngjarja u parandalua.
Meta tha pas gjetjes së tmerrshme: “Ne po kërkonim të arrestonim katër persona shumë të rrezikshëm. Ata ishin Alfred Shkurti, Erjon Cici, Enver Dondollaku dhe Maksim Çela.”
Albert Nushi, ish-kreu i policisë kriminale në Lushnje, tha në gjykatë: “Të katër këta ishin organizatorë të vrasjeve dhe vendosjes së bombave në shtëpitë e oficerëve të policisë.”
Çela u dënua në vitin 2012 për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, vrasje, mbajtje armësh pa leje dhe municioni dhe “veprime lidhur me terrorizmin”. Ai më pas erdhi në Mbretërinë e Bashkuar pesë ditë pas lirimit nga burgu.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Sun