TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar sot lidhur me zbulimin e një varri masiv në veri të Kosovës, në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se prehen trupat e 23 intelektualëve nga Mitrovica, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Ministria e cilëson këtë zbulim një kujtesë të dhimbshme të plagëve të luftës, të cilat mbeten ende të hapura. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaron se Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe për ruajtjen e së vërtetës historike.
Reagimi i Ministrisë:
"Zbulimi i një tjetër varri masiv në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura. Çdo gjetje e tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Eshtrat e zbuluara janë një kujtesë e fortë e krimeve të kryera dhe e nevojës që e vërteta, përgjegjësia dhe drejtësia të vihen në vend. Për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, çdo identifikim është një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë. Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe për ruajtjen e së vërtetës historike. Pa të vërtetën nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm."
Zbulimi i një tjetër varri masiv në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura.
— Albanian MEFA ???????? (@AlbanianDiplo) July 31, 2026
Çdo gjetje e tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Eshtrat e zbuluara janë një…
Reagimi vjen pasi, dy ditë më parë, në fshatin Kalludër të Zubin Potokut u zbulua një varr masiv, ku dyshohet se prehen trupat e 23 intelektualëve të Mitrovicës, të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Pas ngjarjes, kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se dyshimi i parë i institucioneve pas gjetjes së mbetjeve mortore, ishte se ato mund t’i përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, që ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999. Ndërsa shtoi se për gjetjet duhet pritur konfirmimin e organeve kompetente.
Kush ishin intelektualët e Mitrovicës?
Mediat në Kosovë se bëhet fjalë për emrat si në vijim: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkëlzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu. Grupi në fjalë ishin zhdukur më 19 prill të vitit 1999. Ata u ndaluan nga forcat serbe, gjatë rrugës për në Mal të Zi. Në mesin e tyre kishte doktorë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare./ZËRI