POGRADEC- Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas ndarjes nga jeta të 37-vjeçares shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, nga Pogradeci që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të hënë, ndërsa ministria ka kërkuar një vlerësim të pavarur për mënyrën se si është menaxhuar rasti.
Përmes një deklarate zyrtare, MSHMS shpreh ngushëllimet për familjarët e pacientes dhe bën me dije se do të shqyrtohet i gjithë procesi i kujdesit shëndetësor, që nga momenti i paraqitjes së saj në institucionin shëndetësor deri në përfundimin e trajtimit. Ministria thekson se çdo gjetje do të analizohet me kujdes dhe nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren masat përkatëse në përputhje me ligjin dhe standartet profesionale.
DEKLARATË PËR SHTYP
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.
Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e sotme ku sipas të dhënave paraprake, 37-vjeçarja dyshohet se mund të ketë pasur një hemorragji të brendshme. Pritet që trupi i viktimës t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore./ZËRI
