TIRANË-Ndarja nga jeta ditën e sotme të gazetarit të njohur shqiptar Artur Zheji ka sjellë reagime të kolegëve, bashkëpunëtorëve apo edhe të politikanëve. Gazetari Blendi Fevziu, ka reaguar për ndarjen nga jeta të kolegut të tij, ku me anë të një postimi në Facebook, ka theksuar se e ka trishtuar ky lajm, dhe se me ikjen e Zhejit iku dhe një zë i rëndësishëm i mediave dhe një intelektual.
“Artur Zheji u nda nga kjo botë sot krejt papritur. Në moshë ende të re dhe në kulm të energjive dhe të angazhimit publik. Bashkë me të iku edhe një zë i rëndësishëm dhe autoritar i mediave e mbi të gjitha një intelektual dhe qytetar pas exelencë. Duke e njohur prej viteve ‘80-të dhe duke bashkëpunuar për thuaj 25 vjet me të, mbeta tejet i trishtuar nga ky lajm tragjik. U prehsh në paqë Tur!”-shkruan Fevziu.
Ndërsa gazetari Enkel Demi, shkruan se ky lajm i trishtë e ka lënë pa fjalë.
“Pa fjalë…Më vjen shumë keq për Turin, fëmijët dhe bashkëshorten e tij”, shkruan ai.
Edhe figura të njohura të politikës, mes tyre kryeministri Edi Rama, kreu i PD, Sali Berisha e të tjerë kanë reagur në lidhje me ndarjen nga jeta të gazetarit dhe publicistit. Me një foto bardh e zi, Rama e konsideron gazetarin e ndjerë një mik, duke i shprehur lamtumirën.
'Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin,"-shkruan Rama.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta para kohe të gazetarit, Artur Zheji. Me një postim në rrjetet sociale, kryedemokrati Sali Berisha shkruan se gazetari, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë.
"Homazh për Artur Zhejin! Miq, gazetari, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin,"-shprehet Berisha.
Kreu i PL-së Ilir Meta shkruan në Facebook se lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit e mori me pikëllim të madh.
“Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit profesionist dhe analistit brilant, Artur Zheji. Një intelektual i angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të pavarësisë së medias, vlerave të lirisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, Zheji udhëhoqi edhe si bashkëkryetar Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës, duke dhënë një kontribut të paharruar politik e shoqëror që përherë do të vlerësohet me respekt,"-shkruan Meta.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka shkruan se ndraja e beftë nga jeta e Artur Zhejit, e ka lënë me dhimbje jo vetëm familjen, por dhe miqtë.
“U prehsh në paqe Turi! Ikja jote e beftë na le me dhimbje. Ngushëllime familjes sate! Për pak ditë do të festonit ditëlindjen tënde, e ne miqtë e tu do të të uronim 64-vjetorin. Ke lënë shumë kujtime pas, si drejtues e gazetar, si prind, bashkëshort e mik. Artur Zheji ishte biri i dy shqiptarëve të shkëlqyer, i zagoritit të gjithëditur Petro Zheji dhe i aktores së mirënjohur Besa Imami. Trashëgoi kulturën e tyre dhe spikati si personazh televiziv në prime. I përjetshëm kujtimi i tij!”, shkruan Noka.
Deputeti dhe analisti Agron Gjekmarkaj, gjithashtu i ka shprehur ngushëllimet familjes së Artur Zhejit, për humbjen nga jeta të këtij të fundit. Me anë të një postimi në Facebook, Gjekmarkaj e cilëson ndarjen nga jeta të Zhejit si një humbje të rëndë për mendimin kritik, gazetarinë dhe shoqërinë shqiptare.
"Lajmi i ndarjes nga jeta i gazetarit Artur Zhejit është një humbje e madhe për gazetarinë, mendimin kritik dhe shoqërinë shqiptare. Ai ishte një intelektual i spikatur, një zë i guximshëm dhe një personalitet që krjijoi dhe mbajti të gjallë debatin publik. Me stilin e tij unik, ai solli gjithmonë qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë dhe pse mund të kemi ndarë mendime tërsisht të ndryshme për çështje të caktuara. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar për median, gazetarinë dhe vetë shoqërinë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të medias! U prehtë në paqe,'-shpreht Gjekmarkaj.