Aktualitet

Vdekja e Dhimitër Anagnostit, qeveria shpall 2 Shtatorin ditë zie kombëtare

Në njoftimin e qeverisë thuhet se shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

E.K
Vdekja e Dhimitër Anagnostit, qeveria shpall 2 Shtatorin ditë zie
Dhimiter dhe Roza Anagnosti

TIRANË- Qeveria ka vendosur që të shpallë këtë të martë të 2 Shtatorit ditë zie kombëtare, në nderim të regjisorit Dhimitër Anagnosti. Në nderim të tij të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmështizë. Homazhet në nderim të regjisorit dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, nga ora 10:00 deri në orën 13:00. Anagnosti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të paçmuar në fushën e kinematografisë.

Vendimi:

Vendimim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, DHIMITËR ANAGNOSTI, PERSONALITET I SHQUAR I KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare të martën, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit, Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare.

2. Në ditën e zisë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e martë, datë 2.9.2025, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.

4. Në orën 10:00, datë 2.9.2025, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.

5. Radiotelevizioni Publik Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.

6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje të ketë:

– Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Brendshëm;
– Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë;
– Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë;
– Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
– Përfaqësues nga kabineti i Kryeministrit;
– Përfaqësues nga zyra e shtypit e Kryeministrit.

7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror.

8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R IEDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Në karrierën e tij 40-vjeçare Anagosti ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë. Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike:

Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Në vitin 2021, në 85-vjetorin e tij të lindjes, Anagnosti u dekorua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. /ZËRI

Poll

MOS HUMB