
SARANDË-Gjykata e Sarandës ka kthyer për hetime dosjen penale ndaj Saimir Kushovës, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë që solli si pasojë vdekjen e shtetases angleze Rebecca Gannon. Gjykata vlerëson se hetimet nuk janë të plota dhe për rrjedhojë duhet të vijojnë sipas drejtimit që do të përcaktohet nga gjykata.
Në lidhje me hetimin kërkohet të kryhet një akt ekspertimi nga një specialist me njohuri të posaçme në fushën e zhytjes pranë Federatës Shqiptare të Zhytjes, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve:
1.1 Cili është protokolli i zhytjes, referuar nivelit të certifikimit në këtë sport të së ndjerës Rebecca Gannon? (Sipas formularit “Diver Registration Form”, rezulton se agjencia e përzgjedhur e zhytjes është PAD dhe niveli i certifikimit është OWD).
1.2 Sipas akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, a kanë qenë të licencuar dhe brenda kushteve teknike organizatorët e zhytjes?
1.3 A e kanë ndjekur organizatorët protokollin e zhytjes? Nëse po, si? Nëse jo, cilat janë shkeljet e evidentuara?
1.4 Cili ka qenë personi përgjegjës për ndjekjen e sigurisë së zhytësve gjatë realizimit të këtij procesi?
1.5 A ka një protokoll personi përgjegjës për sigurinë e zhytësve, që duhet të ndjekë për të qenë në gjendje gatishmërie në çdo rast? Nëse po, cili është ky protokoll? Nëse jo, të përshkruhet me detaje se ku duhet të qëndrojë personi përgjegjës për sigurinë dhe cilat janë masat që ai duhet të marrë deri në përfundimin e procesit të zhytjes.
1.6 Cila është koha që i nevojitet një personi për të veshur kostumin e zhytjes në kushte alarmi apo kërkese për ndihmë (nëse kostumi nuk është veshur më herët)? Përgjigjja e kësaj pyetjeje duhet të arrihet përmes një simulimi në kohë reale nga specialistët, në kushte të ngjashme me ato të një kërkese për ndihmë, duke matur dhe regjistruar kohën edhe me pamje filmike.
Si ndodhi ngjarja
Ekspedita nënujore turistike, organizohej nga "Spiranca Diving Center", në pronësi të Saimir Kushovës tek anija e Luftës së Dytë Botërore e mbytur në gjirin e Sarandës. Pushuesja Rebecca Gannon, 29 vjeç ishte me të dashurin e saj kur u gjend në vështirësi gjatë udhëtimit nën ujë me një grup prej shtatë zhytës të tjerë. Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot.
Kushova kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje. Në 2022, Gjykata e Sarandës vendosi ta hetojë në gjendje të lirë pronarin e "Spiranca Diving Center" nëpërmjet garancisë pasurore prej 1.5 milion lekë të reja. Ai kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes Greta Brozi në grupin e tij të punës dhe nuk kishte siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.