VLORË- Gjykata e Vlorës ka shpallur të pafajshëm 5 efektivë të Policisë së Shtetit, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Sot u mbajt seanca e fundit e një procesi 3-vjeçar gjyqësor ndaj grupit të pesë efektivëve, të cilët u përballën me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Edhe pse ndaj tyre, Prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i shpalli të gjithë të pafajshëm. Për të njëjtën ngjarje, Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 18 vite burg për ish-komisarin Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj.
Më 2 gusht 2022, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën tragjikisht teksa po lahej në bregun e detit, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshtim me rregullat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë. Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan./ZËRI