Aktualitet

Vendi nuk gjen "qetësi" nga zjarret! 4 vatra aktive, në Dajt e Mat ndërhyhet me helikopter

Vatër aktive është regjistruar edhe në Bulqizë, në Vajka ku një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja është përfshirë nga zjarri.

F.I
Vendi nuk gjen "qetësi" nga zjarret! 4 vatra aktive, në Dajt
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Shqipëria nuk ka gjetur “qetësi” nga zjarret në vend. Në përditësimin e fundit, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë të jenë aktive. Në terren janë angazhuar 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Situata mbetet problematike në Dajt dhe Mat, ku për shuarjen e flakëve është ndërhyrë nga ajri. Vatër aktive është regjistruar edhe në Bulqizë, në Vajka ku një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja është përfshirë nga zjarri. Ndërkohë në Urën e Shtrenjtë, Shkodër  po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.

NJOFTIMI:

Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

Përmbledhje e situatës – 01.09.2026, ora 09:00

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.

Vatrat aktive janë:

* Dajt, Tiranë – vijojnë vatra aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Ditën e djeshme u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Vajkal, Bulqizë – zjarr aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. U angazhuan 11 forca MZSH, 5 pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.

* Lundre, Mat – vijon zjarri në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore; u angazhuan 40 forca MZSH/pyjore, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter.

* Ura e Shtrenjtë, Shkodër – vatër aktive në terren të thepisur; po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes.

Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës (Bulqizë), Qafën e Lugut (Korçë), malin e Qukësit (Prrenjas) dhe Zhejë (Kurbin). Në të gjitha rastet e mësipërme nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Poll

MOS HUMB