TIRANË- Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur t’i japë fund ngërçit ligjor që kishte bllokuar aktivitetin në kantierin e aeroportit të Vlorës, duke hequr kufizimet për administrimin e projektit nga MABCO Constructions S.A.
Sakaq, vendimi i marrë këtë të martë i njeh të drejtën kompanisë MABCO, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, për të vijuar administrimin e shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), ku ajo ka shumicën e aksioneve.
Mësohet se Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, të lidhura me biznesmenin Valon Ademi, duke i dhënë të drejtë palës tjetër në këtë konflikt.
Ky vendim vjen në mes të tensioneve për shkak të përplasjeve të vazhdueshme në kantierin e aeroportit të Vlorës, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim, situata të shkojë drejt normalizimit.
Javët e fundit punimet ishin bllokuar, ndonëse projekti ndodhej në fazën përfundimtare. Përplasjet në kantier filluan pasi punëtorët e kompanisë "2A", nën drejtimin e Valon Ademit, kanë bllokuar hyrjen e punëtorëve të kompanisë së Behgjet Pacolli. Aeroportin e Vlorës, akualisht e administron kompania “2A Group” e biznesmenit Valon Ademi, e cila fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në një konflikt gjyqësor me Mabco Constructions të Pacollit. Konflikti ligjor mes aksionarëve të koncensionit, 2A Group dhe MABCO Construction, nisi vitin e kaluar si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy palëve për kuotat e aksioneve.
Kompania 'Macbo' e Behgjet Pacollit, pretendon se Valon Ademi po mbështetet nga institucionet shtetërore dhe po bllokon punimet në kantier. Nga ana tjetër, Vlora International Airport njofton se kompania “Mabco” është përjashtuar nga projekti për shkak se nuk ka mbyllur punimet e terminalit në kohë.
Por si nisi përplasja për këtë aeroport?
Plani për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, nisi në vitin 2021! Shqipëria filloi një projekt të ri madhështor: ndërtimin e një aeroporti të ri në Vlorë, në një sipërfaqe prej 297 hektarësh dhe me një vlerë të parashikuar investimi me104 milionë euro. Ky projekt do ti kushtojë taksapaguesve shqiptarë 138 milionë euro, përmes një marrëveshje koncesioni, ose afërsisht 40 për qind më shumë se sa kostoja e ndërtimit, në rast se koncesioni dështon apo nuk realizon fitime.
Tenderi u fitua nga tre kompani. Kontrata u nënshkrua më 20 prill 2021 nga kompanitë Mabco Constructions, me pronar Behgjet Pacollin, që zotëronte 58% të aksioneve; kompania turke YDA Group, e cila zotëronte 40% të aksioneve; dhe kompania 2A Shpk nga Kosova, me pronar Valon Ademin, i cili kishte 2% të aksioneve.
Por, po në mars të atij viti, shoqëria turke u tërhoq nga projekti. Si pasojë, kompania e Behgjet Pacollit mori në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të “Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, pasi bleu për 4,200 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.
Më 1 shtator të këtij viti, Behgjet Pacolli vendosi të shkarkojë administratorin e “Aeroportit të Vlorës”, Valon Lluka. Nga ky moment vijuan një sërë ngjarjesh të njëpasnjëshme! Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi, akuzoi publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim.
Thelbi i konfliktit mes dy ortakëve ka qenë ndarja e aksioneve: Ademi zyrtarisht ka vetëm 2% të tyre, por pretendon 47%. Biznesmeni Ademi, në kallëzimin e depozituar në Prokurori në shtator 2025, ka pretenduar se përmes kompanisë së tij “2A Group” ka blerë 47% të aksioneve të aeroportit./ZËRI