Aktualitet

Dosja "Buka"/ Dëshmojnë dy ish-vartësit e Ahmetajt, përplasje në seancë

Në seancë dëshmuan ish-drejtori i Shitjes së Pronës në Ministrinë e Financave, Endri Duçka, si dhe ish-drejtori juridik, Fatmir Hoxha.

zh.ll
Dosja "Buka"/ Dëshmojnë dy ish-vartësit e Ahmetajt,
arben ahmetaj

TIRANË- Procesi gjyqësor ndaj ish-numrit 2 të qeverisë, Arben Ahmetaj, për privatëzimin e fabrikës "Buka" në vitin 2015 vijoi edhe këtë të martë me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve të akuzës.

Në seancë dëshmuan ish-drejtori i Shitjes së Pronës në Ministrinë e Financave, Endri Duçka, si dhe ish-drejtori juridik, Fatmir Hoxha.

Endri Duçka, i cili ka mbajtur postin e drejtorit në Ministrinë e Financave, dha dëshminë e tij në procesin ndaj Ahmetajt, i cili deklaroi se procesi i privatëzimit është kryer sipas procedurave standarte. Ai shtoi se për dosjen në fjalë është zhvilluar ankand publik dhe, sipas tij, për shkak të një ofertuesi të vetëm është bërë ripublikim me afat 10-ditor, pas së cilit është shpallur fituesi i vetëm ofertues.

“Kam qenë drejtor tek Ministria e Financave, drejtoja zyrën e shitjes së pronës shtetërore. Ka ardhur dosja për shitjen e aksioneve shtetërore për dosjen “Buka”, kemi bërë procedurën normale. Drejtoria e drejtimit të pronës publike është hallka e fundit e procesit, ne kontrollonim të gjitha aktet dhe nëse gjendej në përputhje me VKM, vijonim me procedurën, si publikimi për ankandin në faqen e Komisionit të Prokurimeve, pasi ankandi ishte i hapur. Për dosjen “Buka” kishte vetëm një ofertues, ishim të detyruar të bënim një ripublikim me afat 10-ditor. Fituesi u shpall ofertuesi i vetëm”, është shprehur Duçka.

Ai u pyet gjithashtu nga prokurori Elvin Gokaj lidhur me ekzistencën e dy vendimeve të gjykatës lidhur me fabrikën. 

Elvin Gokaj: A kishit dijeni që kishte 2 vendime gjykatash për këtë pronë?

Endri Duçka: Nuk kanë qenë pjesë e dosjes së privatizimit. Familja Myderizi u ankua, na sollën edhe vendimet, por nuk kishte lidhje me veprimtarinë e drejtorisë sonë.

Elvin Gokaj: Po kërkesa nga përmbaruesi, a ju erdhën?

Endri Duçka: Nuk i kujtoj specifikisht, por kujtoj që i kemi kthyer përgjigje çdo ankese.

Elvin Gokaj: Ju ka ardhur një ankesë për anulim ankandi, çfarë bëtë ju?

Endri Duçka: Me sa mbaj mend, ne i kemi sugjeruar familjes Myderizi t’i drejtohet Ministrisë së Ekonomisë për paketën e vlerësimit të aksioneve.

Por, deklarat a e Duçkës ka sjellë reagimin e viktimave në këtë proces, anëtarë të familjes Myderizi, duke thënë se ai po gënjen. Megjithatë, ndërhyri gjyakata për të shtensionuar tensionet mes palëve.

Këtë të martë dëshmoi edhe Fatmir Hoxhaj, drejtori i pagesave në Ministrinë e Financave. Ky i fundit deklaroi se nuk ishte marrë ndonjëherë drejtpërdrejt me procedurat e privatizimit. Ai tregoi se në vitin 2018 kishte marrë një memo që përmbante një vendim gjykate të cilën sqaroi se ia kishte përcjellë drejtorisë përkatëse. 

Në dhjetor 2024 GJKKO vendosi ta kthejë në SPAK dosjen 'Buka' për plotësim të hetimeve. Në këtë çështje Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim të detyrës” gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjes “Buka sh.a”, duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.

Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI

Poll

MOS HUMB