Aktualitet

Vetëdorëzohen në Polici vëllezërit Kreshnik e Erneo Farruku, Gjykata i lë në burg

Farruku akuzohet në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje.

F.I
Vetëdorëzohen në Polici vëllezërit Kreshnik e Erneo
Kreshnik Farruku

DURRËS- Janë vetëdorëzuar në polici kreu i grupit kriminal, Kreshnik Farruku Budlla dhe vëllai i tij Erneo Farruku. Kreu i grupit kriminal u paraqit bashkë me vëllain e tij, mbrëmë rreth orës 22:00 në policinë e Durrësit. Për Kreshnik Budllën alias Farrukun dhe vëllain e tij ka një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Italia për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pritet ekstradimi i tyre drejt shtetit fqinj. Ndërkohë Gjykata e Durrësit kanë dhënë masë  “arrest në burg” për dy vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farrukun, të konsideruar si krerë të “Klanit Farruku.”

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasit K. B. alias K. F.(K.), 51 vjeç dhe E. F., 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në Durrës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për veprat penale “Organizata kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike". Këta 2 shtetas janë vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre, në Itali.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, grupi kriminal i drejtuar nga Kreshnik Farruku Budlla pastronte para përmes një rrjeti kompanish të drejtuara nga një organizatë italo-kineze. Nga hetuesit italiane, raportohet se kjo kompani kishte lëshuar fatura false për një shumë rreth 375 milionë Euro.

Në dhjetor Gjykata e Posaçme vendosi konfiskimin e 27 pasurive të klanit Farruku. Pasuritë e konfiskuara janë në emër të Kreshnik Farrukut alias Kreshnik Budllas dhe Erneo Farrukut. Bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme si apartamente e dyqane dhe automjete. Pasuritë dyshohet se janë vendosur nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës. 

Kreshnik Budlla, u arrestua për herë të parë në Spanjë më 12 maj 2019, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit. Budlla, ka përdorur sipas medieve spanjolle 10 emra. Ai u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje. Farruku akuzohet në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje.

Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bërë një atentat në Shqipëri në zonën e Don Boskos. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë./ZËRI

Poll

MOS HUMB