
SARANDË- Gjykata e Sarandës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy efektivët e Policisë së Shtetit, Alvaro Sulejmani, efektiv në Komisariatin e Policisë Himarë dhe Ilkid Sulejmani, efektiv i Policisë Kufitare Sarandë. Gjatë seancës së sotme, Alvaro Sulejmani është shprehur se ka pasur njohje të mëparshme me viktimat dhe se kërkon ndjesë për çfarë ka ndodhur. Por kërkesë falja e tij nuk ka ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë.
Ndërkohë, për 6 personat e tjerë të përfshirë, mes të cilëve një efektiv policie dhe një student i Akademisë së Policisë, Gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Edhe pse procesi gjyqësor ka nisur, në kërkim nga uniformat blu janë edhe dy personat e tjerë, Igli Duka dhe Beqir Çoçka, të përfshirë në përplasjen e ndodhur pak ditë më parë.
Por, si ka nisur gjithçka?
Sipas autoriteteve, sherri është zhvilluar rreth orës 01:30, të datës 2 janar 2025, në fshatin Gjashtë, Sarandë, pranë një restoranti. Punonjësi i policisë Alvaro Sulejmani ka shkuar bashkë me armën e shërbimit pranë biznesit që drejtonin dy vëllezërit Enea Nexhipi dhe Albion Nexhipi. Bëhet fjalë për një biznes makinash me qira.
Sulejmani u kishte një borxh lidhur me një makinë që u kishte marrë dhe shkoi te shtëpia e vëllezërve Nexhipi pas mesnate së bashku me 10 persona të tjerë, duke i dhunuar ata me sende të forta. Gjithashtu, nga çfarë raportohet, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por asnjë të plagosur. Dy vëllezërit Albion dhe Enea Nexhipi janë dëmtuar me sende të forta por fatmirësisht nuk kanë pasur pasoja për jetën./ZËRI