LEZHË- Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Lezhë, ku një 71-vjeçar është gjetur i rrëzuar. Ngjarja ka ndodhur në një zonë malore mbi Kalanë e Lezhës, ku dyshohet se i moshuari është rrëzuar duke ruajtur bagëtitë në mal dhe për pasojë ka mbetur i dëmtuar.
Policia njofton se ai është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Lezhës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rënduar i moshuari është transportuar drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore i Spitalit Rajonal të Lezhës i shkuan në ndihmë një të moshuari të dëmtuar në zonë malore.
Pas marrjes së njoftimit se një i moshuar ishte dëmtuar në një zonë malore, mbi Kalanë e Lezhës, shërbimet e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me ekipin e urgjencës mjekësore të Spitalit Rajonal të Lezhës, kanë reaguar menjëherë.
Shtetasi, i cili ishte duke ruajtur bagëtitë në mal, dyshohet se ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime, duke e pasur të pamundur lëvizjen.
Me mbërritjen në vendngjarje, shërbimet e Policisë dhe ekipi i urgjencës mjekësore i Spitalit Rajonal të Lezhës bënë të mundur transportimin e tij në Spitalin Rajonal të Lezhës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Më pas, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe nevojës për trajtim më të specializuar, 71-vjeçari u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë.
Policia e Lezhës mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe i fton ata që, për çdo problematikë apo situatë emergjente, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112."/ZËRI