TIRANË- Procesi gjyqësor për Plaurent Dervishajt dhe Juljan Mecajt, të cilët akuzohen për atentatin ndaj i ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vrarë shoferi i tij ka vijuar këtë të premte me dëshmi të tjera. Këtë herë u paraqit si dëshmitare bashkëjetuesja e Arben Mërkuri, i njohur me nofkën “Maneci”, i vrarë në maj të vitit 2022. 48-vjeçari u qëllua për vdekje teksa ndodhej në dyqanin e tij, në qendër të Sukthit, 3 vite pas atentatit ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj. Sipas SPAK, personat që kanë porositur, planifikuar dhe ekzekutuar vrasjen e tij janë personazhe të njohur të botës së krimit në zonën e Durrësit, duke përmendur edhe Plaurent Dervishajn.
Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka treguar se nuk e njeh Plaurent Dervishajn dhe asnjë prej shokëve të tjerë të 'Manecit'. Për këtë të fundit, ajo rrëfen se nuk dinte të kishte probleme asnjëherë me drejtësinë.
“Unë banoj në Sukth, Durrës. Arben Merkuri ishte bashkëjetuesi im. Nuk kam njohur asnjë nga shokët e tij. Ka ndërruar jetë në maj 2022. Kemi një dyqan në Sukth. Ka punuar edhe në bashki. Më përpara ka pasur mbiemrin Ismaili. Në vitin 2020 i ka vdekur motra në Itali. Plaurent Dervishajn nuk e njoh. Kam 15 vite që bashkëjetoj me Arbenin. Nuk di asgjë për shokët e tij, as me kë shoqërohej. Kemi dy fëmijë nga bashkëjetesa. Mbaj mend që kishte një telefon. Nuk ka pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.”, ka dëshmuar bashkëjetuesja e 'Manecit'.
Sa i përket ditës së vrasjes, ajo tregon se kanë qenë bashkë në atë moment, deri sa dikur e mori në telefon. Sapo Mërkuri ka zbritur shkallët është degjuar një zhurmë, ndërsa është shprehur se nuk ka asnjë të dyshuar për këtë.
“Ditën kur u vra Arbeni, kemi qenë bashkë. Dikush e mori në telefon, dhe sapo zbriti shkallët, dëgjuam zhurmë armësh. Djali më tha: ‘Kanë vrarë babin’. Nuk di kush e ka bërë vrasjen. Biznesin e kemi të rregullt, me dokumenta.”, ka vijuar dëshmitarja.
Gjatë seancës, i akuzuari Plaurent Dervishaj iu drejtua dëshmitares me pyetje të drejtpërdrejta:
Dervishaj: “A ke marrë vesh çfarë është folur për burrin tënd? Thuhet se ka qenë vrasës me pagesë. S’ka grua që i thotë burrit: shko vrit.”
Zonja Shyti u përgjigj: “Nuk është e vërtetë.”
Dervishaj shtoi: “Burri yt ka dhunuar dy gazetarë. E ke parë?”
Për këtë, dëshmitarja tha: “Nuk e kam parë.”
Por kush ishte Arben Mërkuri?
‘Maneci’ është skeduar si vrasës me pagesë dhe dyshohet të ketë qenë përfshirë në të paktën 12 ngjarje kriminale, mes tyre dhe në atentatin ku mbeti i vrarë ish-efektivi Ervin Dalipaj e Juxhin Dauti (ish-i fejuari i këngëtares Fjolla Morina) në vitin 2017. 48-vjeçari gjithashtu është skeduar për trafik droge, por nuk ka asnjë dënim të marrë nga drejtësia shqiptare. Ndërsa në Itali ka vujtur dënim me burg për trafik të lëndëve narkotike.
Arben Mërkuri ka qenë edhe një protagonistët e ngjarjes që bëri bujë në vitin 2016 në Shqipëri, dhunimi i biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri. Ky i fundit kishte nisur investimet në Shqipëri, më konkretisht po punonte në Gjirin e Lalëzit, zonë ku po ndërtonte një kompleks. Por, kur gjashtë vite më parë, pasditen e 10 shtatorit biznesmeni Mitri, po udhëtonte pasagjer në një makinë me të shoqen e vajzën e tij u përplas qëllimisht nga një tjetër makinë tip “Tuareg”. Pas përplasjes, personat që ndodheshin në mjetin tjetër që dyshohet të kenë qenë Mërkuri, Landi Muharremi (i tmerrshmi i Sukthit ose Rrumi i Shijakut) e Skënder Krahja kanë dalë dhe kanë nisur ta qëllojnë, derisa e kanë lënë të plagosur rëndë biznesmenin libanez që përfundoi në spital.
Fillimisht Policia e Shtetit e klasifikoi si një ngjarje aksidentale, por më pas versionet e tjera nuk munguan. Landi Muharremi, Arben Mërkuri, Skënder Krahja, të tre me banim në Sukth u thirrën dhe u morën në pyetje pasi ishin të dyshuarit e parë për ngjarjen, por gjithçka mbeti me aq. Pista kryesore e hetimit ishte ajo e konfliktit për shkak të investimit që po kryente Faadi Mitri në zonën e Gjirit të Lalzit. Vetë 55-vjeçari u mor në pyetje nga hetuesit ku dëshmoi se personat që e sulmuan, e kërcënuan duke i thënë: Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet!.
Maneci u përmend edhe në aksionin "Revansh", i finalizuar pak ditë më parë nga SPAK. Në dosjen hetimore të zbardhur nga ZËRI, tek e cila janë zbardhur mesazhet e aplikacionit "SkyECC" të shkëmbyera në vitin 2020, u zbulua se Elson Reçi kontraktoi Arben Mërkurin, i njohur me nofkën ‘Maneci’ me qëllim që të vriste Preng Gjinin. ‘Maneci’ për shumë kohë kishte vëzhguar çdo lëvizje të hasmit të familjes Reçi. Për këtë të fundit, Maneci kishte siguruar informacionin se Preng Gjini, kishte lidhur një aleancë me Aleksandër Laho, i cili i mbijetoi një atentati tek mbikalimi i Shkozetit, teksa udhëtonte me ish-prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Për të ndihmuar Reçin që të merrte hakun e të afërmit e tij të vrarë (Kastriot Reçi), Arben Mërkuri ka folur edhe me Fatmir Troplinin dhe Nuredin Dumanin./ZËRI