Aktualitet

Viti i ri akademik/ Mësuesia s'preferohet, Mjekësia&IT janë 'plot', studentë përplasen me Manastirliun: Na trajtoni si klientë

Programet më pak të preferuara në Universitetin e Tiranës janë ato të Juridikut, Ekonomisë dhe Shkencave Sociale.

I.F
Viti i ri akademik/ Mësuesia s'preferohet, Mjekësia&IT
Ogerta Manastirliu

TIRANË- Sot më 7 tetor 2024 ka nisur viti i ri akademik në Universitetet shqiptare. Bëhet me dije se 20 mijë studentë, sot ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve publike, dhe ato private. Deri më tani mësohet se vetëm 60% e kuotave janë mbushur, ndërsa programet më pak të preferuara në Universitetin e Tiranës janë ato të Juridikut, Ekonomisë dhe Shkencave Sociale. Ndërsa degët e mësuesisë janë më ato më të rrezikuara për shkak se nuk preferohen nga studentët. Për këtë degë, në Universitetin e Shkodrës janë regjistruar vetëm 5 studentë, ndërsa në degën e Fizikës është regjistruar vetëm 1.

Viti i ri akademik/ Mësuesia s'preferohet, Mjekësia&IT
Banderolë e shpalosur në Fakultetin e Politeknikut

Nga ana tjetër, degët e Mjekësisë, Inxhieneria dhe Informatika u plotësuan që javët e para dhe janë programet më të kërkuara në çdo universitet të vendit. Ndërsa viti i ri akademik tek Universiteti i Ekonomisë nisi me protestë dhe bojkot. Ku studentët shpalosën një banderolë ku shkruhej: Ekonomiku bojkoton, larg dhuna nga tempulli i dijes.

Protesta vjen si pasojë e dhunës së ndodhur në këtë universitet, ku përgjegjësi i departamentit të Marketingut, Mirdaim Axhami ka goditur me grusht në fytyrë pedagogen Liljana Elmazi. Ngjarja ka ndodhur në korridoret e fakultetit, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e Axhamit.

“Universiteti i Tiranës nuk ka marrë masat e duhura ndaj Axhamit që ky person të mos jetë më pjesë e stafit akademik. Studentët e Ekonomikut bojkotojnë mësimin dhe kërkojnë shkarkimin e këtij pedagogut që ka dhunuar kolegën e tij. Studentët mund të jenë viktima të dhunës nesër. Nëse Komiteti i Etikës nuk merr masa, ne do të mblidhemi sërish deri sa të shkarkohet ky pedagog. Stop dhunës në Ekonomik!”, tha një nga studentët.

Viti i ri akademik/ Mësuesia s'preferohet, Mjekësia&IT
Banderolë e shpalosur në Fakultetin e Ekonomisë

Po ashtu, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu gjatë një deklarate për mediat konfirmoi se janë regjistruar 20 mijë studentë dhe gjithashtu procesi i regjistrimit është i hapur deri më 2 javët e ardhshme. Gjatë kohës që ajo ishte duke folur, gjithashtu u përball me protestën e studentëve të "Lëvizjes për Universitetin".

“Ja një sekond se do të flasim bashkë”, iu përgjigj Manastirliu protestuesve gjatë kohës që po fliste për mediat. Pasi përfundoi fjalën e saj, ajo iu afrua studentëve, por ata u shprehën se nuk ka bisedime me të sepse e trajtojnë studentin si klientë. Pas kësaj Manastirliu është larguar.

“Që nga momenti që e keni trajtuar studentin si klient në fakultet bisedat me ju kanë mbaruar,”-i tha një prej protestuesëve. Ndërsa një tjetër shtoi: Me universitetin e Tiranës që e keni bërë lëmsh e li bashkë me diplomat që na jepni që janë false.

 

Si në rrethe, edhe në Tiranë, do të ketë edhe programe që do të mbyllen këtë vit, por ky vendim do të merret pas mbledhjes së senatit të universiteve. Në kryeqytet, dega më e rrezikuar të mbyllet është Ekonomiksi (Ekonomiksi është shkenca sociale që studion prodhimin, shpërndarjen dhe konsumin e mallrave dhe shërbimeve), pasi prej 3 vitesh nuk ka asnjë regjistrim. 

Sipas të dhënave në Universitetin e Tiranë në degën e Fizikës në raundin e parë janë regjistruar vetëm 5 studentë dhe në atë të kimisë vetëm 8 të tillë. Ndërsa në Matematikë 23 studentë. Në degën Gjuhë-Letërsi më shumë se gjysma e kuotave mbeten të lira në raundin e parë. Nga 120 kuota që ofroi në ketë degë Universiteti i Tiranës mbetën në lira 65. Në Histori kuotat fillestarë ishin 80, dhe janë regjistruar vetëm 12 studentë. Në degën e Gjeografisë nga 152 kuota janë regjistruar vetëm 39 studentë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB