
TIRANË- Policia e Shtetit ka marrë masa për protestën që do të mbahet nga Partia Demokratike. Mësohet se janë blinduar dyert e Kryeministrisë dhe gjithashtu instalacioni i kërpudhës që ndodhet në lulishten e këtij instuticioni është hequr. Bëhet me dije se mbi 1200 forca policore do të angazhohen për të garantuar rendin e sigurinë gjatë protestës së opozitës.

Pjesë e tyre për të ruajtur sigurinë do të jenë dhe forcat Shqiponja, e FNSH.
Mësohet se në shkresën që PD ka depozituar në Policinë e Shtetit ka kërkuar 4 orë leje për protestë, nga ora 18:00 deri në 22:00. Gjatë protestës nuk do të ketë fjalime, ndërkohë fillimisht protestuesit do të përqëndrohen para godinës së Kryeministrisë, më pas do të shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës. Grupet që do të zhvendosen në disa zona të Tiranës, pritet që të përbëhen kryesisht nga protestues të rinj në moshë. Efektivët do të pajisen pajisur me maska kundragaz dhe në terren do të ketë 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda gjatë takimit me drejtuesit e komisariateve dhe Policisë së Tiranës ka bërë thirrje efektivëve që do të jenë në terren të mos provokohen nga protestuesit.
“Kujdes mos u provokoni nga protestuesit. Ndërhyrjet të jenë të minimizuara, vetëm në raste nevoje. Mos të krijohen përplasje të provokuara. Ruani qetësinë dhe godinat e institucioneve. Kujdes listat me emrat e personave qeë kanë precedentë, të mbahen nën vëzhgim. Të filmohen dhe dokumentohen të gjitha veprimet e dhunshme dhe të jashtëligjshme,”- tha Proda.
Protesta e opozitës vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua për shkak të çështjes “Babale”. Si shenjë proteste, opozita nisi dy aksione të mëparshme, ku shkaktuan dhunë dhe kaos në Kuvend. Deputetët dogjën karriget në oborrin e Parlamentit më 30 shtator dhe për këtë arsye ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më 60 ditë. Ndërsa, në seancën e së enjtes më 3 tetor ata nuk u lejuan të futeshin në Kuvend nga garda, dhe deputetët e opozitës bllokuan hyrjet e Kuvendit për të penguar kolegët e tyre socialist të merrnin pjesë në seancën parlamentare. Për shkak të rrëmujës që u zhvillua jashtë, seanca parlamentare zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa deputetët që u penguan të futeshin dogjën në oborr 4 manekinë dhe deklaruan se nuk do të ketë më normalitet./ZËRI