TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar këtë të martë shkarkimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit.
Vendimi është marrë me propozim të Kryeministrit dhe në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të ligjit për SHISH.
Shkarkimi vjen në një ditë të ngarkuar me zhvillime për Hysenin, ndaj së cilës GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra në kuadër të hetimeve të SPAK.
Hyseni kishte marrë drejtimin e SHISH në vitin 2023 pasi emri i saj u propozua nga Kryeministri Edi Rama dhe u dekretua nga Presidenti Begaj.
Me dekretin e firmosur këtë mbrëmje përfundon zyrtarisht mandati i saj në krye të institucionit të inteligjencës.
Ndërkohë pas hyrjes në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës, Hyseni pritet të vijojë procedurat në zbatim të masës së vendosur nga autoritetet gjyqësore.

/ZËRI