Aktualitet

Vlora nën ujë, Dredha: Ra shi sa për 1 muaj, hidrovori punoi! Tani po llogarisim dëmet...

Ermal Dredha shpjegoi se shkaku i përmbytjeve ishte sasia e madhe e reshjeve që ra vetëm për 2 orë e gjysmë, duke shtuar se një sasi e tillë (180 mm shi) është e barazvlefshme me motin e keq të një muaji.

k.m.
Vlora nën ujë, Dredha: Ra shi sa për 1 muaj, hidrovori punoi!
Ermal Dredha

VLORË- Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha ka lajmëruar se pas reshjeve të shiut që kanë paralizuar qytetin bregdetar ka nisur puna për vlerësimin e dëmeve. Në një prononcim për mediat, Dredha shpjegoi se shkaku i përmbytjeve ishte sasia e madhe e reshjeve që ra vetëm për 2 orë e gjysmë, duke shtuar se një sasi e tillë (180 mm shi) është e barazvlefshme me motin e keq të një muaji. Deri më tani, për kryebashkiakun situata është e përmirësuar, por ka ende disa zona problematike, tek të cilat po ndërhyjnë me pompa për të hequr ujin.

“Ne jemi të gjithë në terren. Ne kemi qenë gjithmonë prezentë. Ka edhe zona ku mund të ketë edhe ankesa nga qytetarët ku pretendohet se nuk ka pasur reagime, por reagime ka pasur. Kini parasysh se na penalizon edhe mungesa e mjeteve. Por i kemi marrë me prioritete. Këtu tek "Albano dhe Romina" përsëritet sa herë ka reshje më shumë se normalja. Mos harroni që dje ka rënë rreth 180 mm shi që është baraz për një muaj shi. Imagjinoni prurjet me një intensitet kaq të lartë që bien në vetëm dy orë e gjysmë. Për këtë arsye, kanali i ujërave, me atë masë prurjesh, ka dalë jashtë kapacitetit dhe të gjithë ai ujë ka përmbytur qytetin. Janë 55 banorë që janë ekavuuar. Jemi duke bërë një database për të marrë masat që vijnë më pas për kompensimin e dëmeve që janë shkaktuar. Është në kapacitet sot edhe hidrovori. Një ditë më parë, ne i paralajmëruam qytetarët për reshjet, duke i këshilluar që të ishin të kujdesshëm, sepse e prisnim që do të kishte reshje. Të gjitha kanalet janë pastruar më parë për të qenë gati për sezonin e reshjeve, por sasia e prurjeve ishte jashtë normales”, tha Dredha

Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB