TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për policin Ludjan Zaimi, i cili kërkonte prishjen e vendimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm më 25 janar 2024. Zaimi u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes me paramendim” të punonjësit të Policisë së Shtetit, Çaush Saliasi, ngjarje e ndodhur më 23 maj të vitit 2022.
Fillimisht ish-efektivi u dënua me 35 vite bur, por Apeli e ndryshoi dënimin me 30 vite. Zaimi nuk e pranoi vendimin e Apelit dhe bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi ta rrëzojë kërkesën e tij. Me vendim përfundimtar, Ludjan Zaimi do të duhet të kalojë 30 vite pas hekurave.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 majit të vitit 2022, në ambientet e komisariatit numër 3 në Tiranë, pak para se dy oficerët e patrullës së përgjithshme të merrnin turnin. Në atë kohë u raportua se ngjarja ndodhi për shkak të bullizmit dhe konflikteve të vazhdueshme mes efektivëve. Zaimi, atëherë efektiv i policisë qëlloi 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55-vjeç. Ludjan Zaimi kishte vetëm 1 vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, ndërsa viktima Çaush Saliasi kishte mbi 20 vite karrierë me uniformat blu.
Zaimi ishte nën kurim me antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda të shëndetit mendor, si skizofrenia e çrregullime bipolare. Prej kohësh ai ankohej për daljen në shërbim me të, tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante ‘qorr’ dhe nuk ia kursente as personat e familjes.
Por, të gjitha këto ankesa, kishin rënë në vesh të shurdhër. Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj, ditë kur po bëhej instruktazhi. Pamjet e rënda që u publikuan në media treguan se si Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së komisariatit. Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi. Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit. Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart./ZËRI
