Aktualitet

Vrasja e çiftit Mujeci! Policia: Shkak hakmarrja, 3 në kërkim...u ndoqën nga një 'Audi', u qëlllua nga një 'Volkswagen'

Bazuar në pamjet filmike të kamerave të sigurisë automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e Kreshnik Mujecit.

F.I
Vrasja e çiftit Mujeci! Policia: Shkak hakmarrja, 3 në
Arben Nasufi

LEZHË-Policia e Lezhës ka zbardhur atentatin e ndodhur në fshatin Balldren të Lezhës, ditën e djeshme më 26 prill, ku u ekzekutua çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Arben Nasufi, në një konferencë për shtyp ka raportuar se lidhur me ngjarjen janë shpallur në kërkim tre persona, A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.

Naufi shpjegoi edhe skemën e atentatorëve, ku për të kryer ekzekutimin janë përdorur dy automjete, një 'Audi A4' dhe një 'Volkswagen'. Bazuar në pamjet filmike të kamerave të sigurisë automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e Kreshnik Mujecit. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit ku udhëtonte çifti Mujeci dhe është qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 40 gëzhoja. Pas identifikimit të autorëve, janë ushtruar kontrolle në banesat e tyre, por nuk janë gjetur. Sakaq vijon puna për gjetjen e automjeteve dhe armëve të përdorura në këtë atentat.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Arben Nasufi:

Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci. 

Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.   

Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj. 

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”. Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:

-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. 

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volksëagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.  Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera,  por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre. Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen. 

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për  garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB