
KORÇË-Prokuroria e Korçës në kuadër të hetimeve për vrasjen e Egli Progës, ka marrë një tjetër person në hetim për veprën penale "vrasje me dashje". Përveç Denis Meçes, edhe Leonidha Guçe do të hetohet për vrasje me dashje kryer në bashkëpunim.
Prokuroria njofton se i ndjeri, është goditur dhunshëm jo vetëm nga shtetasi Meçe, por edhe nga Leonidha Guçe, i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Guçe ndodhet në burg për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’, por tashmë është nën hetim edhe për veprën penale ‘Vrasje me dashje'.
NJOFTIMI I PLOTË:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Sh., i dyshuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga neni 300 dhe 305/b i Kodit Penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024 ku shtetasi Egli Proga humbi jetën si pasojë e goditjeve të marra.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1466, të datës 12.08.2024, regjistruar për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ ndaj shtetasit në hetim D.M., të dhëna të reja kanë dalë në dritë pas rrëfimit të të pandehurit dhe ballafaqimit të të akuzuarve të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga hetimet, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, arriti të zbulojë se viktima, shtetasi E.P., është goditur dhunshëm jo vetëm nga shtetasi D.M., por edhe nga shtetasi L.G. i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Për rrjedhojë, ky shtetas, aktualisht me masë sigurie ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’, tashmë është nën hetim për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal.
Në analizë të akteve të administruara në këtë procedim penal, rezultoi se arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Sh., u bë në përputhje me kriteret ligjore, pasi duke qenë në cilësinë e dëshmitarit okular të ngjarjes së datës 10.08.2024, ku ka mbetur i vdekur viktima shtetasi E. P., ai me dashje dhe me qëllim ka mbuluar një prej autorëve të kësaj ngjarje, e më konkretisht shtetasit L. G. me të cilin kishte marrëdhënie të ngushta shoqërore. Ky shtetas, jo vetëm që nuk ka kallëzuar krimin e ndodhur, por ka dhënë deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, duke mohuar në mënyrë kategorike se ndaj viktimës ishin kryer veprime të dhunshme në brendësi të lokalit “Stropcka”.
Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42 vjeçari Egli Proga baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje. Jashtë lokalit ka qenë autori, Denis Meçe me dy të tjerë Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe, ndërsa brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas vetëm, edhe ai duke pirë. Autori Denis Meçe u largua nga vendgjarja, por u arrestua vetëm disa ditë më vonë ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë. Bashkë me të, për moskallëzim krimi u proceduan edhe Voltan Shkulaku, Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe. Ky ifundit po hetohet edhe për bashkëpunëtor në vrasje./ZËRI