TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme është duke u zhvilluar seanca e dosjes “Plumbi i Artë”, ku i pranishëm për të dëshmuar ka qenë Agim Gjoni, anëtar i bandës së Nuredin Dumanit, për të cilin është kërkuar 10 vite heqje lirie.
Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga dy prokurorët, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelliu, të cilët kanë dëgjuar versionin e Gjonit për vrasjen e Elvis Dedjas, si dhe njohjet që kishte me Nuredin Dumanin dhe anëtarët e tjerë të bandës.
Festim Qoli dyshohet se vrau ortakun e tij, dhe një vit më pas eleminoi dhe të ëmën e Elvis Dedjas, Fatmirën, duke iu marrë më pas edhe një pjesë të pasurive që kishin. Vrasjen e Fatmira Dedjas dyshohet se e ka kryer Talo Çela, ndërsa ngjarja është tentuar të kamuflohet si një grabitje.
Në dëshminë e tij para togave të zeza, Agim Gjini është shprehur se me Elvis Dedajn kishte njohje, duke shtuar se gjatë kohës që ishte punësuar në karburant kishte mësuar se mes Dedajt dhe Festim Qoli, edhe pse ishin shokë, kishte pasur hatër-mbetje mes tyre për një vajzë.
“Kam qenë i punësuar në një karaburant, më kishte punësuar Festim Qoli. E njihja që në shkollë, në 8 vjeçare. E kishim mik Elvis Dedjan. Unë dhe Festimi, ata ishin ortakë. Kujtim Hasa ishte menaxher. Marrëdhëniet mes Elvisit dhe Festimit ishin të mira, por kishin nje konflikt për nje gocë. Loshi i thërrisnin për shkurt, Elvisit. Ai ka punuar me lloj- lloj gjërash, me drogë.
Pas vrasjes së Elvisit, Festimi ka qenë në Durrës. Kam punuar, ndaj e di. Jam takuar disa ditë më pas vrasjes me Festimin. Fatmira Habilin, e kam njohur, e kam takuar, na ka bërë yzmet. Ajo ishte pronare, nuk vinte shpesh. Pas vrasjes së djalit e kam takuar Fatmirën.
Marrëdhëniet e saj me Festimin, ishin të mira, e di se ka ardhur rrinte me ne. Festimi s’më ka treguar gjë. Elvisi kishte një BMW.
Me të ndjerin takohesha përditë po ashtu edhe me Festimin. Isha tip menaxheri te karburanti. Karburanti ksihte dy pronarë, ata kishin marrëdhënie të mira. Nuk ka patur mosmarrëveshje. E vetmja gjë ishte që nuk shkonte me ta ishte për të fejuarën e Elvisit.
Na shoqëruan ne polici, na morën shenjat e gishtave, na nxorrën. E kam takuar më pas, por nuk e mbaj mend se cilën ditë e kam takuar. Kishte frikë Festimi, se mos e vrisnin dhe atë apo dhe mua. Edhe Festimin e kanë shoqëruar në polici. Eduard Serjanin nuk e njoh. Nëse Festim Qoli ka qenë në Kosovë para vrasjes së Elvisit nuk di gjë.
Për vrasjen e Fatmirës nuk kam biseduar gjë, thjesht më erdhi keq. Kishte frikë Festimi, se ça s’ndodh. Ditën e vrasjes së Elvisit e kam parë Festimin. Nuk e di a ka qenë me njeri tjetrit. Henrik Hoxhajn nuk e di a e njoh. Po ma treguat me foto. Ditën e ngjarjes nuk e kam parë. Elvis Dedjan ka shumë vite që e njoh. Ndoshta 20 vjet. Nuredin Dumanin e njoh. Mamaja ime e ka çun tezeje. Nuredini vinte aty te karburanti, ishte çun lagjeje. Kishte muhabet me Festimin. Festimi ishte te varrimi i Fatmirës”.
Avokatët kërkojnë që në sallë të jetë prezent, Nuredin Dumani. Prokurorja Doloreza Musabelliu i kërkoi gjykatës nenin apo ligjin ku bazohen mbrojtësit ligjorë për të bërë një kërkesë të tillë. Ajo vuri në dukje se një ligj i tillë që detyron bashkëpuntorin e drejtësisë të jetë prezent në sallë nëse ka përmbyllur fazën e deklarimeve.
Nga ana tjetër, avokatët kërkojnë që deklarimet të shpallen të pavlefshme pasi sipas tyre u morën në kushtet e presionit nga SPAK.
Mbrojtës të tjerë pretenduan se Agim Gjini përsa kohë është dënuar për një procedim penal lidhur me plumbin e artë nuk mund të thirret si dëshmitar, por si i pandehur.
Gjini thotë prokurorja Doloreza Musabelliu nuk u mor në pyetje lidhur me veprën e vjedhjes me dhunë për të cilën është dënuar. GJKKO e bëri kërkesën pjesë të procesverbalit./ZËRI

