
DURRËS- Vrasja e Ermir Dedjas pak ditë më parë në Durrës, duke se është shumë pranë zbardhjes! Tashmë, Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim dy persona, të cilët nuk i ka identifikuar me emër. Të dy këta persona, janë në kërkim për veprën penale: ‘sigurim kushtesh për të kryer vrasje'. Ata akuzohen se kanë ndihmuar në krijimin e kushteve për të kryer vrasjen. Më konkretisht, dyshohet se kanë siguruar mjetin tip "Seat" që u gjet i djegur në Gërdec, për të ndihmuar autorët, të cilët po ashtu mendohet se janë 2 persona.
Por të dy të shpallurit në kërkim, sipas verifikimeve në sistemin TIMS, janë larguar nga Shqipëria pas ngjarjes. Njëri prej tyre është maroken dhe një ditë para vrasjes rezulton se ka sjellë makinën nga jashtë, përmes portit të Durrësit. Më pas, thjesht është larguar. Ndërkohë që për personin tjetër nuk ka detaje.
Teksa kërkohet për kapjen e dy "ndihmësve", ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar disa prova nga automjeti i djegur në Gërdec dhe janë në pritje të analizave laboratorike. Pista kryesore për vrasjen e 29-vjeçarit është prishja e pazareve të drogës, kjo edhe për shkak të të shkuarës problematike që kishte i riu.
Ermir Dedja u qëllua për vdekje në orët e vona të mbrëmjes së ditës së hënë. Ai mori nje plumb në gjoks, i cili i çau aortën dhe i shkaktoi vdekjen në spitalin e Durrësit./ZËRI