TIRANË- Tre persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e rëndë që ndodhi brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, pasditen e djeshme. Elvis Shkambi është autori i ngjarjes, i cili u arrestua menjëherë pas krimit, ndërsa në pranga ka rënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi.
Gjithashtu edhe në pranga ka rënë edhe një punonjës sigurie i Gjykatës së Apelit Tiranë, pasi dyshohet se ka neglizhuar në detyrë, duke lejuar hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, rreth orës 15:40, ku autori 31-vjeçar Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit. Të shtënat fatale u regjistruan në momentin kur gjyqtari Kalaja ka dhënë vendimin mbi çështjen e pronësisë që po shqyrtonte, ku familja Shkëmbi ishte në konflikt me disa familje të tjera në Shkodër. Autori qëlloi me armë edhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj.
Ndërkohë, plicia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tronditëse dhe për të nxjerrë përgjegjësitë e çdo personi të përfshirë./ZËRI