Aktualitet

Vrasja e Ilaria Sulës/ Mark Samson lihet në burg, gjyqtari: Rrezikon të arratiset dhe të prishë provat!

Samson në dëshminë e tij, tha se e ka kryer i vetëm krimin, dhe se prindërit e tij ndodheshin në punë

I.F
Vrasja e Ilaria Sulës/ Mark Samson lihet në burg, gjyqtari: Rrezikon
Ilaria Sula dhe Mark Samson

ITALI- Gjyqtari i çështjes së Ilaria Sulës ka caktuar masën “arrest me burg” ndaj Mark Samson. Në vendimin e tij, gjyqtari shprehet se Samson mund të arratiset, të prishë provat dhe të kryejë krime të tjera, për këtë arsye ai duhet të qëndrojë në paraburgi. 23-vjeçari filipinas, i cili studionte arkitekturë, është nën hetim për vrasjen dhe fshehjen e trupit të Ilaria Sulës. Ceremonia mortore për 22-vjeçaren do të zhvillohet të hënën, më 7 prill në orën 14:00 në Terni.

Samson në dëshminë e tij, tha se e ka kryer i vetëm krimin, dhe se prindërit e tij ndodheshin në punë. Por, dëshmia e tij ende nuk bind, dhe do të verifikohet nëse e ëma e tij ndodhej në punë dhe nëse pati ndihmë për të fshehur trupin. I riu filipinas dëshmoi se e qëlloi atë 3 herë me thikë dhe ajo ndërroi jetë nga gjakderdhja, më pas ai e mbajti trupin e saj për 20 orë në shtëpi.

“Kam qenë vetëm në shtëpi, babai dhe mamaja ishin jashtë”, përsërit i riu. Por, për pyetjet që kanë të bëjnë me prindërit e tij, ai nuk përgjigjet.

Ndërsa, e ëma e tij, gjatë dëshmisë është shprehur se nuk e pëlqente 22-vjeçaren shqiptare. Sipas saj, viktima ishte një shpërqëndrim për djalin, i cili duhej të përfundonte studimet për arkitekturë.

"Unë nuk doja që djali im të dilte me këtë vajzë. Ai duhej të studionte, të diplomohej në arkitekturë. Në vend të kësaj ai humbiste kohë me të. Kjo është arsyeja pse unë nuk isha dakord me këtë marrëdhënie."

Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Shqiptarja u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili ndodhet në qeli. Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet./ZËRI

Poll

MOS HUMB