Aktualitet

Vrasja e ish-efektivit Xhulio Prela në 2020, Apeli shpall të pafajshëm të akuzuarin Redion Hysa

Fillimisht, për këtë vrasje u shpall në kërkim Brilant Martinaj, i ekzekutuar te mbikalimi i Fushë-Krujës në korrik të vitit 2022.

F.I
Vrasja e ish-efektivit Xhulio Prela në 2020, Apeli shpall të
Xhulio Prela

TIRANË-Gjykata e Apelit shpalli të pafajshëm Redion Hysën, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e ish-efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela, krim i ndodhur në vitin 2020, gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Më herët, Hysa ishte shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë. Për shkak të kompleksitetit të çështjes, Apeli vendosi të hapte pjesërisht shqyrtimin gjyqësor, duke administruar prova dhe të dhëna shtesë për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.

Fillimisht, për këtë vrasje u shpall në kërkim Brilant Martinaj, i ekzekutuar te mbikalimi i Fushë-Krujës në korrik të vitit 2022. Megjithatë, gjatë hetimeve, një mesazh anonim informoi autoritetet se arma e krimit ishte fshehur në depozitën e ujit pranë banesës së Redion Hysës. Pas kontrollit, arma u gjet në vendin e sinjalizuar, ç’ka bëri që procedimi ndaj Martinajt të pushohej dhe Hysa të merrej i pandehur.

Si ndodhi krimi?

Efektivi Xhulio Prela u vra teksa po kthehej nga Shkodra drejt Tiranës, pasi kishte shoqëruar një të afërmin e tij. Sipas pamjeve të sigurisë, automjetet që kanë kaluar në atë rrugë, janë ai që drejtohej nga Prela dhe Brilant Martinaj. Kjo, pasi në kohën e vrasjes, lëvizjet ishin të kufizuara nga pandemia e covidit.

Lëvizja e makinave, provohet nga kamerat e sigurisë pranë një karburanti pranë vendit ku ndodhi krimi. Në pamjet, Martinaj, i veshur me rroba ushtarake ndalohet dhe furnizon makinën me karburant. Brilant Martinaj, u ekzekutua më 17 korrik të 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës bashkë me dy miqtë e tij, pas atentatit Redion Hysa u lirua nga akuzat, pas afro dy vitesh qëndrimi në paraburgim.

Poll

MOS HUMB