KORÇË- Kristjan Sterjo, 20-vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e Johan Zukos, është lënë në arrest me burg nga Gjykata e Korçës. Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg” për Sterjon, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Korçës.
20-vjeçari mbërrit mëngjesin e kësaj të mërkure në gjykatën e Korçës për t'u njohur me masën e sigurisë, nën masa të shtuara sigurie për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes. Ndërkohë mësohet se në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar, as nga familja e autorit e as nga ajo e viktimës.
Sipas burimeve brenda gjykatës, mësohet se 20-vjeçari ka qenë i qetë gjatë gjithë seancës, ndërsa në përfundim është shprehur i penduar për krimin. Para togave të zeza, ai ka treguar para se mes tij dhe Johan Zukos kishte pasur konflikte edhe më herët. Megjithatë, ai ka mohuar se kishte shkuar me qëllimin për ta vrarë.
Ndaj Sterjos rëndojnë akuzat "vrasje me paramendim" dhe "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Vieë this post on Instagram
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 8 gushtit, në një prej pallateve të lagjes nr. 15 në Korçë. Sipas dinamikës së ngjarjes, referuar dëshmisë së autorit, 20-vjeçari Zuko është futur në një pallat në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, ndërsa dyshohet se mbante një thikë në dorë. Ai u qëllua me armë zjarri në pjesën e poshtme të shpatullës dhe humbi jetën në vend, në katin e tretë të pallatit.
Autori i dyshuar, Kristian Sterjo u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes. Ky i fundit ka rrëfyer në mënyrë të detajuar konfliktin me 20-vjeçarin, duke treguar se përplasja mes tyre kishte nisur rreth dy javë më parë për shkak të një vajze, mikeshës së tij.
Sipas deklaratës së tij, ata u përballën sërish ditën e ngjarjes, fillimisht pranë disa lokaleve, ku pretendon se Zuko tentoi ta godiste me thikë. Pas këtij konflikti, ai e ka ndjekur deri sa e gjeti dhe e qëlloi për vdekje. Më pas, autori ka qëndruar pranë banesës së tij deri në momentin e arrestimit nga policia.
Sipas raportimeve, Zuko dhe Sterjo njiheshin prej vitesh dhe ishin shokë fëmijërie. Zuko ishte pjesëtar i Forcave të Armatosura, ndërsa sipas autori Sterjo raportohet se kishte qenë i arrestuar edhe më parë për plagosje me thikë./ZËRI