TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rihapë procesin për Arben Frroku, i dënuar për vrasjen e Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në shkurt 2013. Vendimi është marrë më 17 shkurt dhe urdhëron rihapjen e çështjes në gjykatë, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të vitit 2018 të të njëjtës Gjykatë Kushtetuese.
Frroku ka kërkuar shqyrtim të dosjes në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se i janë shkelur të drejtat. Kushtetuesja nuk ka pranuar kërkesën e tij për të shpallur të pavlefshëm dënimin, por do të shqyrtohet nëse në procesin gjyqësor ndaj tij janë kryer apo jo shkelje.
Në shkurt të vitit 2025, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që të rihapet dosja e Arben Frrokut, me argumentin se procesi gjyqësor ndaj tij përmban shkelje të të drejtave të njeriut. Vendimi unanim i Strasburgut detyron shtetin shqiptar të rihapë çështjen në këtë gjykatë, duke i dhënë Frrokut mundësinë për një shqyrtim të ri.
Lamaj u ekzekutua me breshëri automatiku mbrëmjen e 24 shkurtit vitin e shkuar, teksa po afrohej në banesën e tij duke parkuar automjetin tip “Lancia”. Hetimet e Prokurorisë nga ai moment u përqendruan mbi biznesmenin Frroku, për faktin se prej kohësh ky i fundit me Lamajn kishte një konflikt.
Arben Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë për vrasjen e komisarit, por asnjëherë nuk e ka pranuar këtë krim. Në Prill të 2015-s, Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënim me burgim të përjetshëm për Arben Frroku.
Ky i fundit u kap në Holandë me pasaportë false, disa muaj më vonë, dhe Gjykata e Holandës vendosi për ekstradimin në Shqipëri të Arben Frrokut, por ai deklaroi se nuk duhet të ekstradohet drejt vendit të tij, sepse kërcënohej nga gjakmarrja. Ai ende nuk është ekstraduar./ZËRI