Aktualitet

Vrasja e Santiago Malkos! Nëna e ish-policit: Leonard Duka më vrau djalin në mes të rrugës, dua dënim me vdekje

Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se nuk ka përdorur aplikacionin Sky Ecc.

F.I
Vrasja e Santiago Malkos! Nëna e ish-policit: Leonard Duka më vrau
Leonard Duka dhe Santiago Malko

TIRANË-Ka vijuar sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për Leonard Dukën, i cilësuar si kreu i organizatës me emrin “Klani Duka”, që akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 te “Xhamlliku” në Tiranë. 

Në seancën e sotme në GJKKO, mbrojta e Dukës, avokatja Melina Gjeta, kundërshtoi motivin e pretenduar të vrasjes, duke theksuar se dy plagosjet për të cilat dyshohet se kanë lidhje me viktimën, janë ende pa autor. Sipas saj, prokuroria nuk mund të përcaktojë autorësi në një kohë ku nga organet kompetente nuk kanë zbardhur pistën e plotë. Po aahtu Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se nuk ka përdorur aplikacionin Sky Ecc.

"Deklaroj që jam i pafajshëm dhe nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga politika që më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia"-u shpreh Leonard Duka.

Nga ana tjetër nëna e viktimës Santiago Malko, deklaroi para gjykatës se Duka është përgjegjës për vrasjen e djalit të saj. Ajo kërkoi dënimin maksimal për të akuzuarin, duke shtuar se kërkon dënim me vdekje.

"Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e më vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë.”, tha nëna e Malkos.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 janar, ku GJKKO do të japë vendimin për Leonard Dukën, për të cilin SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg.

SI NDODHI VRASJA E SANTIAGO MALKOS?

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Deri më tani, I vetmi i dënuar me 25 vite burg është Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.

Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë).

Ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 shprehej se Malko ka gabuar me babanë e Dukës, referuar faktit që ia ka marrë peng dhe i ka dërguar video duke e torturuar. Madje në një episod e quan Malkon skizofren dhe njeri që i ka sjellë vetëm probleme. Biseda është zhvilluar kur dyshja i kishte prishur marrëdhëniet miqësore por edhe ato si ortakë./ZËRI

Poll

MOS HUMB