
TIRANË-Dënohet me burgim të përjetshëm Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e tre grave, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2023 në Tiranë. Hutra u dënua me tre burgime përjetë për vrasjen e Mevlute Sadikut, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit. Gjykata e dënoi edhe me 35 vite për vrasjen e Helena dhe Kujtime Hysa, ndërsa për Marjana Gurakuqin me 30 vite heqje lirie. Ai u shpall fajtor dhe për armëmbajtje pa leje dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Gjykata e konsideroi Dan Hutrën fajtor për krime të rënda që tronditën opinionin publik, duke e dënuar gjithashtu me:
-35 vite burg për tentativën për vrasje ndaj Helena dhe Kujtime Hysës
-30 vite burg për plagosjen e rëndë të Marjana Gurakuqit
-15 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe sigurimin e kushteve për të kryer vrasje.
Çfarë ndodhi më 1 mars 2023
Më 1 Mars të 2023 Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, e cila ishte shtatzënë, si dhe plagosi vetë Elenën dhe nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. Gjithashtu të plagosur mbetën Kujtime Hysa, nëna ish-bashkëshortes së tij si edhe Alketa Hysa.
Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orësh kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën tentativë që fatmirësisht dështoi. Madje kishte përgatitur edhe skenarin makabër për veten e tij. Kishte hapur një varr, atje ku do të fshihej për t’i shpëtuar Policisë./ZËRI