
SHKODËR-Arjon Hasaj i arrestuar për vrasjen e Ramazan Matajt, ndodhur më 4 janar 2025 në fshatin Dragoç të Shkodrës ka pranuar krimin. Hasaj ka treguar plotësisht vrasjen e kryer, sipas të cilit ka ardhur si shkak i një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh. Autori ka rrëfyer se Mataj ka shkatruar dy martesa të motrës së tij, madje ish-burrit të dytë i ka dërguar video intime.
Ndërkohë vëllai i autorit, Klisman Hasaj i dyshuar për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit nuk ka pranuar asnjë akuzë ndaj tij duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait dhe faktit që do kryente vrasje.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
33-vjeçari u ekzekutua vetëm 2 kilometra larg banesës së tij, ku edhe ishte duke shkuar me mjetin e tij, tip "Mercedez Benz". Viktima kishte jetuar për afro 1 vit e gjysmë në Belgjikë, bashkë me të vëllain, i cili ndodhet atje, dhe pas kthimit punonte në ndërtim në Malin e Zi./ZËRI