Aktualitet

Shiu fiku zjarret/ Përmirësohet situata në vend, vetëm 3 vatra janë aktive

Vatrat janë në Tërnovë, në Xeth të Fushë Arrëzit dhe në Velë të Mirditës. Ndërkohë që 6 vatra të tjera po mbahen në monitorim.

Redaksia Zëri
Shiu fiku zjarret/ Përmirësohet situata në vend, vetëm 3
Foto ilustruese

TIRANË- Reshjet e shiut kanë shuar shumicën e zjarreve në Shqipëri. Një ditë pasi pati reshje shiu në shumë prej zonave të prekura, në të gjithë vendin kanë mbetur vetëm 3 vatra zjarri aktive. Më konkretisht, vatrat janë në Tërnovë, në Xeth të Fushë Arrëzit dhe në Velë të Mirditës. Ndërkohë që 6 vatra të tjera po mbahen në monitorim. Shumica e tyre janë vendosur nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe helikopterëve, si dhe ndihmës së reshjeve të shiut.

Situata nga zjarret në vend

Në 24 orët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës nga zjarret në vend. Gjatë kësaj periudhe janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim. Aktualisht po punohet me intensitet në këto zona:

* Tërnovë (Bashkia Bulqizë) – Zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër Bulqizë. Në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 4 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 3 forca policore, të mbështetur nga FA me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Po punohet për izolimin e zjarrit.

* Xeth (Bashkia Fushë-Arrëz) – Vijon puna për izolimin e zjarrit me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Intensiteti i flakëve është ulur, por puna për shuarjen vazhdon.

* Velë (Bashkia Mirditë) – Zjarr në një masiv me pisha, me rreth 6.5 ha të përshkruara nga flakët. Në terren janë 3 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH të bashkisë Mirditë, 12 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 2 forca policore dhe 6 forca ushtarake. Po punohet për shuarjen e plotë të zjarrit.

Vatra në monitorim:

* Mali me Gropa – Bizë (Bashkia Bulqizë) – Zjarri zhvillohet në zonë shkëmbore, pa rrezik. Angazhuar 2 forca AdZM dhe 5 vullnetarë.
* Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Rehovë (Bashkia Poliçan) – Vatra nën kontroll nga ndërhyrja e forcave, 2 helikopterëve, ndihmuar edhe nga reshjet e shiut.
* Velçan (Bashkia Berat) – Situata nën kontroll pas ndërhyrjes së 25 efektivëve MZSH, 2 helikopterëve dhe favorizuar nga reshjet e shiut.
* Mali i Bërzhitës, Ibë (Bashkia Tiranë) – Vatra nën kontroll nga 3 automjete zjarrfikëse, 5 forca APR dhe policia.
* Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Bashkia Tiranë) – Nën kontroll pas ndërhyrjes së MZSH, APR dhe Policisë.
* Ferraj dhe Zall-Herr (Bashkia Tiranë) – Intensitet i ulët, nën kontroll dhe pa rrezik për banesat.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të FA. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë (EBA, çek, sllovak) dhe 1 avion Canadair nga Italia./ZËRI

Poll

MOS HUMB