
TIRANË- Policia ka arrestuar 36-vjeçarin Klestjan Hala, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në Selitë. Më parë, Policia arrestoi 7 persona si “përgjegjës” për ndërtimin e një “shtëpie bari” në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Madje në një institucion shtetëror. Laboratori i drogës me 150 bimë kanabisi dhe të gjithë mjetet e tjera të nevojshme për kultivimin e tyre u zbuluar një ditë më parë në zonën e Selitë, në një magazinë që ishte në pronësi të Kadastrës. Erlind dhe Reshit Tresa, Asqeri Likaj si dhe Elvis Lala janë arrestuar nën akuzën për kultivimin e kanabisit përmes llampave si dhe për vjedhje të energjisë.
Ndërkohë që në pranga kanë rënë edhe 3 punonjës të OSHEE, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali. Këta të fundit dyshohet se mund të kenë patur dijeni për aktivitetin kriminal por e kanë mbuluar laboratorin e drogës përmes manipulimit të faturave të energjisë elektrike. Nëse nuk do të kishin ndërhyrë, laboratori do të kishte “rënë në sy” për shkak të çmimit të faturimit. Por ka dyshime se këtë problem e kanë zgjidhur tre nga të arrestuarit.
"Ndalohet një 36-vjeçar i dyshuar i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në Selitë. Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar 7 shtetas dhe janë sekuestruar 193 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë dhe sende që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Shkencore, ka vijuar punën për identifikimin e shtetasve të implikuar në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në një magazinë në rrugën "Hamdi Pepa". Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe ndalua shtetasi K. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/25 i Kodit Penal", njofton policia.
Denocimin e bëri ish-deputeti i Partisë Demokratike (tashmë anëtar i Këshillit bashkiak të Partisë Socialiste) Halit Valteri. Ky i fundit sapo kishte marrë një detyrë të re në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe kishte shkuar për inspektim. Por kishte pikasur mjete që zakonisht përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura. Në këtë moment i ka dhënë sinjalin ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Kështu u vu në lëvizje Policia për kapjen e laboratorit. Ndërkohë që Kadastra reagoi dje dhe deklaroi se nuk kishin lidhje me aktivitetin që po ushtrohej brenda godinës që kanë nën administrim.
Gjatë operacionit ‘Tuneli’, u gjetën dhe sekuestruan 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave. /ZËRI