TIRANË-Gjykata e Lartë ka shpallur listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Lista përbëhet nga shtatë kandidatë: Arbena Ahmeti dhe Sandër Simoni nga Gjykata e Lartë; Igerta Hysi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Fatri Islamaj nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; si dhe Matilda Llangozi, Brunilda Kadi dhe Manjola Xhaxho nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Procesi do të çojë në përzgjedhjen e tre anëtarëve që do të zëvendësojnë funksionarët aktualë, të cilëve u përfundon mandati më 12 dhjetor. Gara është hapur për një gjyqtar nga gjykatat e shkallës së parë, një vend për një gjyqtar nga gjykatat e apelit dhe një vend për një gjyqtar të Gjykatës së Lartë./ZËRI
