
TIRANË- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat pas mbylljes së votimit, u shpreh se procesi ka shkuar në përputhje me të gjitha standardet. Celibashi shtoi se në mëngjes ndodhën disa problematika në momentin e hapjes së votimit, por ato u adresuan menjëherë.
“Procesi ka shkuar, me ndonjë përjashtim sporadik, në përputhje me të gjitha rregullat dhe standardet. Problematikat e konstatuara kryesisht në mëngjes në momentin e hapjes së votimit, janë adresuar menjëherë”, tha Celibashi.
Më tej, Celibashi shtoi se në këto zgjedhje kanë votuar 41.37% e qytetarëve. Përsa i përket procesit të identifikimit elektronik, ai u shpreh se shkoi mirë. Po ashtu, Celibashi bëri thirrje për qetësi tashmë që procesi ka kaluar në fazën e numërimit të votave.
“Sikurse e shikoni është 41.37% ora 18:00, por është në çdo 1 orë, nuk e di nëse e ka marrë të dhënën e fundit, është midis orës 18:00 dhe 19:00. Do ketë një update që nuk besoj se do ketë ndonjë ndryshim të madh në këtë raport përqindjeje. Përpara se ta përfundoj këtë paraqitje informative, sjell në vëmendje që tashmë kalojmë në një fazë po kaq të rëndësishme si numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit. Ajo që duhet të kemi në vëmendje është qetësia që duhet t’u krijojmë atyre që janë angazhuar në këtë proces. Është e këshillueshme që edhe pse është në përputhje me detyrimin që kanë të gjithë që të deklarohet për rezultatet që vijnë pas vlerësimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi.
Teksa u pyet se kur do të dalë rezultati i zgjedhjeve në qendrat ku votimi u krye në mënyrë elektronike, Celibashi u shpreh se nesër në mëngjës. Ai shtoi se kjo ishte një kërkesë e Partisë Demokratike dhe koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
“Sikurse e dini historinë e kësaj çështjeje. U dakordësua palët politike dhe votimin elektronik në njësinë 10 dhe në Vorë. Në kushtet e skepticizmit të një pjese të politikës për këtë proces. Kemi vlerësuar të përmbushim edhe kërkesën për shpalljen e rezultati të votimit në njësinë 10 dhe në Vorë pasi të ketë filluar procesi i tabulimit të rezultatit për QV dhe KZAZ ku është votuar në mënyrë manuale. Këtë rezultat do e kemi në mëngjes ditën e nesërme në orën 8 apo9.
Ishte kërkesë e PD dhe sipas PD dhe koalicionit qëllimi i këtij projekti pilot lidhej me rikonfirmimin sipas vlerësimit tim të integritetit të përdorimit të kësaj pajisje gjatë votimit. Pajisja elektronike e votimit dhe numërimit e transmeton menjëherë. Ajo çka është dashur të testohet, ka të bëjë me integritetin për procesin e votimit me këto pajisje. Dhe në kushtet kur lehtësisht mund të spekulohet për rezultatin që prodhon ky proces. Të garantojë integritetin e pjesës së madhe të votimit, ndryshe nga votimit elektronik kemi vonua transmetimin e rezultateve, operatorët teknikë që kanë asistuar këtë proces kanë printuar gabimisht jo, transmetimin e rezultatit në dy apo 3 qendra”, përfundoi ai./ZËRI