TIRANË- Zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi vijon të mbetet mister, ndërsa hetimet janë në zhvillim. Deri më tani, dyshohet se ai është marrë peng, ndërsa autoritetet kanë shpallur në kërkim shokun e tij, Armand Shakaj, si personin kryesor të lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, 25-vjeçari Enea Zyferi është arrestuar, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin dhe ka qenë dëshmitar i ngjarjes. Zyferi punonte si kamarier në lokalin e Shakaj, dhe sipas hetimeve, ai mund të ketë një rol kyç në zbardhjen e ngjarjes.
ZËRI siguroi më herët pamjet e fundit të të riut, i cili ndodhej me një motor, ndërsa aty pranë, automjeti me të cilin dyshohet se është marrë peng dhe transportuar trupi i tij nga Armand Shakaj.
Automjeti në fjalë është sekuestuar nga policia, ndërsa në të raportohet se janë gjetur shenja gjaku, që dyshohen se mund të jetë i Koçit.
Ndërkohë, kontrollet janë kryer gjithandej nëpër periferi të Tiranës, deri në Dajt dhe drejt Elbasanit.