TIRANË- Imagjinoni një rrjet të errët, ku paratë jo thjesht huazohen, por përdoren si një zinxhir që lidh viktimat. Paratë janë kurthi që rëndojn si një gur në qafën e tyre. Një rrjet i errët, i padukshëm, një ekonomi në hije, që nuk njeh mëshirë, as ligj. Dhe kjo nuk është një metaforë, është historia e asaj që ndodh para syve tanë. Më 6 korrik 2025, në Elbasan, nënkomisari i Policisë Edison Pema u arrestua në kuadër të operacionit “Last Rent”, zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e këtij qyteti. Një nga personat që është betuar të luftojë krimin, ishte kthyer vetë në një të tillë.
Pema jepte para me fajde me interesa të larta. Në formë presioni ai bllokonte automjetet e borxhlinjve dhe përdorte ambientet e punës, madje në prezencë të drejtuesve të policisë, që të kërcënonte qytetarët. Sipas dosjes së zbardhur, në një prej rasteve, Edison Pema dhjetëfishoi vlerën e borxhit përmes kërcënimit ndaj një qytetari që merrej me aktivitetin e dhënies së makinave me qira. Nga 7000 euro, ia çoi detyrimin në mbi 70 mijë euro si dhe i bllokoi disa makina. Në të njëjtën dosje ka përgjime në të cilat nënkomisari bisedon edhe për transportin e 17 kg kanabis sativa nga Kosova.
Por le të kthehemi tek pjesa e fajdeve, përse biznesmenët bëhen pjesë e këtij rrjeti? Kur u shfaqën për herë të parë në Shqipëri?
Në vitet 90, me rënien e komunizmit, sistemi bankar u dobësua. Ata që kishin para të ruajtura stepeshin që t’i vendosnin në banka, nuk kishin besim për shkak të pasigurisë së kohës, por edhe për faktin që normat zyrtare të interesave ishin të ulëta dhe të paqëndrueshme. E gjithë kjo hapësirë e lënë bosh nga bankat u mbush nga individë që filluan të jepnin para hua me norma interesi që shkonin nga 50-100% në muaj.
Përkeqësimet e situatës ekonomike dhe fiskale (si piramidat e vitit 1997) e ushqyen kulturën e këtij fenomeni. Dëshpërimi dhe mungesa e alternativave i bënë njerëzit të pranonin çdo marrëveshje, edhe ato që i lidhnin përjetë me borxhin, duke u kthyer në skllevër modernë. Dhe kjo praktikë vazhdoi, madje u ngritën grupe të mirëfillta kriminale që jetonin me këtë aktivitet, duke e ushtruar hapur dhe duke mos lejuar as konkurrencë.
Nga këto mund të përmendim disa raste. Më 12 shtator 2018, forcat speciale RENEA zbarkuan në vilën luksoze të Ylli Çangut në Nikël, ku zbuluan blloqe me shifra dhe emra personash që tregonin një skemë të strukturuar fajdesh. Në vitin 2019 u godit një grup në Shkodër. Në të njëjtin grup bënin pjesë edhe dy djemtë e ish-prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani, Eltoni dhe Roberti që kishin marrë hua shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër me një përqindje që varionte nga 3-20%. Një prej tyre u identifikua si Burhan Aliaj, i cili, siç del në dosjen hetimore, kërcënonte shpesh me jetë babain e vëllezërve Radovani, që tashmë ishin zhytur në gropën e fajdeve.
Në vitin 2021, gazetari Artan Hoxha foli për fëmijën e një biznesmeni që kishte marrë 10 mijë euro borxh tek një fajdexhi. Sipas Hoxhës, hudhënësi i kishte marrë biznesmenit rreth 800 mijë euro, por ai nuk e dinte as se kue kishte fëmijën.
Edhe sot, në 2025, kjo praktikë jo vetëm që vazhdon, por është përshkallëzuar, madje mund të themi që ata që dikur jepnin para me fajde, sot janë bërë biznesmenë përmes një skeme të caktuar. E gjitha nis me problemin e parë që has një biznesmen që merret me tregti, ndërtim apo fason. Në momentin që ai has pengesë në gjetjen e likuiditetit, i gjendet pranë një fajdexhi. Rruga për të marrë para në bankë mund të jetë e bllokuar për shumë arsye, mund të ketë kredi të papaguara, mund të mos i plotësojë kushtet burokratike dhe mund të mos presë aq kohë sa kërkon banka.
Biseda e para nis në formë miqësie, paratë jepen në dorë dhe bëhet një marrëveshje gojarisht. Por pas disa muajash, kur interesi është bërë më i madh se vetë borxhi dhe biznesi nuk ka më të ardhura të mjaftueshme për të përballuar, fajdexhiu tani e ka klientin nën presion.
Si zgjidhje i ofron ortakërinë. Dhe biznesmeni pranon “të ndajë” biznesin, me shpresë se do të dalë nga gropa ku është zhytur. Kështu bëhen editimet e nevojshme dhe fajdexhiu bëhet pronari i përqinjdes më të madhe të aksioneve, ndërsa biznesmeni përfundon duke punuar për të.
Skenaret që vijnë më pas janë dy, ose biznesmeni e humb biznesin, ose bëhet vegël për pastrim parash. Dhe e gjithë kjo skemë funksionon, e para nga frika dhe turpi i biznesmenit: Ai nuk e denoncon, se vetë ka marrë me fajde. Për të do të ishte një rrëzim i reputacionit në treg dhe do të humbiste besueshmërinë që mund të ketë krijuar dhe e dyta, moszbatimi i ligjit për fajdet: shumë pak raste çohen realisht në ndëshkim penal. Aq më pak që në këto momente që po flasim, ka edhe vetë zyrtarë policie të përfshirë./ZËRI
