Aktualitet

Zjarr në një park bletësh në Gjirokastër, digjet një kasolle

Si pasojë e zjarrit u dogj një kasolle që përdorej për ruajtjen e materialeve të bletarisë, ndërsa të gjitha kosheret e bletëve u shpëtuan pa pësuar dëmtime.

M.K.
Zjarr në një park bletësh në Gjirokastër, digjet
foto nga vendi i ngjarjes

GJIROKASTËR- Një vatër zjarri ka përfshirë mesditën e kësaj të diele një park bletësh në zonën e njohur si “Poligoni”, mbi repartin ushtarak në Gërhot të Gjirokastrës, duke rrezikuar dhjetëra koshere dhe ambientet ndihmëse të bletarisë.

Sipas shërbimeve të MZSH-së, alarmi është dhënë rreth orës 12:50. Me mbërritjen në vendngjarje, zjarrfikësit konstatuan se flakët kishin përfshirë të gjithë parkun e rrethuar, ndërsa zjarri po përhapej edhe në sipërfaqet përreth.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të dy grupeve të efektivëve, flakët u izoluan dhe më pas u shuan plotësisht, duke shmangur dëme më të mëdha. Si pasojë e zjarrit u dogj një kasolle që përdorej për ruajtjen e materialeve të bletarisë, ndërsa të gjitha kosheret e bletëve u shpëtuan pa pësuar dëmtime.

Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia gjatë përdorimit të tymit për kontrollin e bletëve. Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB