Aktualitet

Zjarret në vend/ Mbrojtja: 9 vatra aktive, situata më e rënduar në Lurë, flakët rrezikojnë banesat

Situata më problematike mbetet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri po luftohet nga forcat zjarrëfikëse dhe nga ajri me dy avionë "Air Tractor".

l.k
Zjarret në vend/ Mbrojtja: 9 vatra aktive, situata më e rënduar
Foto nga zjarret në vend

TIRANË- Operacioni për izolimin e flakëve vijon në të gjithë vendin, ndërsa 9 vatra mbeten ende aktive. Në përditësimin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 vatrat aktive janë në qarqet: Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura. Për të ndihmuar forcat tokësore operacionale, në ndihmë kanë ardhur edhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë "Air Tractor".

Situata më problematike mbetet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri po luftohet nga forcat zjarrëfikëse dhe nga ajri me dy avionë "Air Tractor". Mësohet se zjarrëfikësit janë pozicionuar pranë banesave, pasi për shkak të erës rrezikohet që flakët të përhapen drejt zonave të banuara.

Ndërsa në Dajt situata paraqitet më e stabilizuar, ndërsa vijojnë operacionet në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe në Priskë të Madhe. Vatrat nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Sa i përket riaktivizimit të zjarrit në Drenie të Patosit, në terren janë angazhuar forcat zjarrëfikëse edhe të 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Në Krujë vijon operacioni në lagjen Abaze, ndërsa në lagjen Bojë një helikopter i Forcës Ajrore po ndërhyn për mbrojtjen e banesave pranë dy vatrave të zjarrit.

Në njoftim thuhet se në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel në Përmet zjarret vijojnë pa rrezikuar banesat, ndërsa në malin e Moravës në Devoll vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim.

Ministria e Mbrojtjes njofton se prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe vënia nën kontroll e të gjitha vatrave aktive.

NJOFTIMI:

Ministria e Mbrojtjes - përditësim i situatës së zjarreve (ora 14:00)

Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 14:00 të datës 12 gusht 2026, në territorin e vendit 9 vatra zjarri mbeten aktive, në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.

Për menaxhimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura të raportuar me numër të përcaktuar, ndërsa nga ajri janë angazhuar 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

* Dajt, Tiranë - Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon operacioni me 22 forca të MZSH dhe ADZM, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe po operojnë 15 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse. Në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Drenie, Patos- Vijon puna për shuarjen e riaktivizimit të zjarrit. Forcat operacionale po mbështeten sot edhe nga 30 efektivë të FA-së dhe 1 autoambulancë, pas një angazhimi të konsiderueshëm të MZSH-së, Policisë, shërbimit pyjor dhe vullnetarëve.

* Krujë - Në lagjen Abaze operacioni vijon. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, ku janë evidentuar dy vatra, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar edhe pranë banesave dhe 1 helikopter i FA-së po operon nga ajri, me fokus mbrojtjen e tyre.

* Përmet- Në malin e Nëmerçkës dhe në Malin Dhëmbel vijon angazhimi. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.

* Gurë-Lurë, Dibër- Një nga operacionet me angazhimin më të madh: mbi 220 forca nga MZSH, bashkia, vullnetarët, Policia, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe FA. Nga ajri po operojnë 2 avionë Air Tractor. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave që mund të ekspozohen ndaj zjarrit.

* Mali i Moravës, Devoll- Vatra është izoluar dhe mbahet nën monitorim nga strukturat operacionale. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në tërësi, mbi 450 forca rezultojnë të angazhuara vetëm në vatrat ku raporti jep shifra të plota për personelin, ndërsa kapacitetet ajrore të raportuara përfshijnë 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe banesave, izolimi i vatrave dhe normalizimi i plotë i situatës./ZËRI

Poll

MOS HUMB