HIMARË- Një zjarr i përmasave të mëdha u regjistrua pasditen e 13 korrikut në kodrën mbi Gjirin e Llamanit në Himarë, ku flakët shkrumbuan sipërfaqe të mëdha me shkurre e bimësi.
Një fakt që tërheq vëmendjen është se, sipas verifikimeve të kryera, zona e përfshirë nga zjarri përkon me territorin ku është parashikuar zhvillimi i një resorti turistik me sipërfaqe rreth 101 mijë metra katrorë. Projekti, sipas dokumentacionit, parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz dhe disa dhjetëra vilave turistike.
Dokumentet e publikuara nga Versus.al tregojnë se ndërtimi i resortit është planifikuar në kodrën që mbrëmë u përfshi nga flakët dhe u desh ndërhyrja e 17 efektivëve zjarrfikës për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Projekti me zhvillues kompaninë “Bega 07” të Arben Muçobegës parashikon ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 50 vila, apartamente, restorante dhe ambiente të tjera turistike të shpërndara përgjatë gjithë shpatit të kodrës.
Kjo kompani rezulton të ketë përfituar edhe tendera publikë nga bashkitë e qyteteve të ndryshme të vendit. Ndërsa më datë 25 shtator, 2024 me vendimin nr.13, kryeministri Edi Rama si drejtues i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen për zhvillimin e resortit multifunksional me hotel, vila dhe shërbime në Himarë, nga shoqëritë “Bega-07 Sh.p.k” dhe “Capital B Sh.p.k”.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që zjarri në një prej gjireve më të bukura të vendit të ketë qenë i qëllimshëm. Mbetet për t’u parë se çfarë do të nxjerrin hetimet mbi shkaqet e zjarrit.
Dyshimet rreth Muçobegës
Më herët, mediat kanë raportuar se SPAK e BKH po e hetojnë biznesmenin për pastrim parash, por nga organet ligjzbatuese nuk ka patur ndonjë masë ndaj tij. Dyshimet për aktivitetin e tij u shtuan pasi nga një firmë riparimi banesash e stallash në fshat, Muçobega kaloi në ndërtues pallatesh, hotelesh, e resortesh dhe e gjitha kjo ndodhi si “me shkop magjik”.
Kompania e tij së fundmi ka marrë sërish leje ndërtimi për të zhvilluar një kompleks me 15 godina deri në 9 kate në zonën e Liqenit të Thatë. /Voxnews.al